Kukësi humbet një nga lojtarët më të dalluar

Futboll

Kukësi humbet një nga lojtarët më të dalluar

Më: 30 mars 2022 Në ora: 11:57
Kukësi humbet një nga lojtarët më të dalluar

Probleme në kampin kuksian. SuperSport mëson se një nga lojtarët më të dalluar të skuadrës verilindore ka pësuar një dëmtim që do e mbajë jashtë fushave të lojës për disa javë. Bëhet fjalë për portierin Angelos Tafas, i cili ka thyer meniskun lateral dhe priten ekzaminimet e mëtejshme për të mësuar dhe kohën që do i duhet për tu rikuperuar.

Analizat paraprake kanë treguar se “gardiani” i Kukësit do të duhet të qëndrojë nga 1 muaj e gjysmë deri në tre muaj larg fushës së lojës. Një lajm i keq për Kukësin dhe portierin 21-vjeçar. Tafas këtë edicion ka qenë një nga lojtarët më vendimtar të skuadrës kuksiane, duke bërë paraqitje mbresëlënëse e duke shpëtuar skuadrën në shumë raste.

Paraqitjet e tij me Kukësin bënë që ai të ishte dhe pjesë e skuadrës së 21-vjeçarëve të Shqipërisë. 21-vjeçari i lindur në Athinë, këtë edicion është angazhuar në 25 ndeshje me ekipin verilindor, ndërsa ka luajtur dhe katër ndeshje me fanellën e skuadrës U21 të Shqipërisë.

Gjasat janë që Tafas të humbasë pjesën e mbetur të sezonit ose në rastin më të mirë të kthehet në javët e fundit të kampionatit. Në mungesë të Tafas vendin mes shtyllave pritet që ta marrë Dashamir Xhika. Kukësi aktualisht renditet në vendin e tretë në Abissnet Superiore me 43 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat