Ëndërron Messin

Futboll

Ëndërron Messin

Më: 30 mars 2022 Në ora: 12:07
Ëndërron Messin

Lionel Mesi ndoshta nuk po shkëlqen në aventurën e tij të re në Paris, por në pritje për t’u rikthyer në fushë me francezët, ngushëllimi mund të quhet Argjentina, me të cilën është rikthyer edhe te goli, në sfidën eliminatore kundër Venezuelës.

Gjithsesi, jashtë fushe situata është krejt tjetër për sulmuesin 34-vjeçar, duke qenë se milionat vazhdojnë të vërshojnë për “Pleshtin”.

Ndonëse ai mbulohet nga mjaft sponsorë të fuqishëm, ku peshën më të madhe e mban gjiganti i veshjeve sportive gjermane “Adidas” (19 milionë euro në sezon), ditën e djeshme është lajmëruar edhe firmosja e një tjetër kontrate sponsorizimi me futbollistin.

Lionel Mesi ka nënshkruar një akord prej 20 milionë eurosh në vit me “Socios.com”, një nga platformat e shumta të parave dixhitale që kanë shpërthyer në treg, ndonëse për sa i përket jetëgjatësisë së marrëveshjes nuk është bërë ende asgjë e ditur:

“Së bashku mund të jemi më shumë”, shkruante në uebsajtin e saj platforma “Socios.com” bashkangjitur me foton e Lionel Mesit në momentin e nënshkrimit të kontratës, me argjentinasin i cili pas kësaj marrëveshjeje do të jetë ambasadori global i kësaj marke, nga e cila do të përkëdhelet me shifrën e çmendur të 20 milionë eurove në vit.

Por menjëherë pas firmës, ka pasur edhe nga ata tifozë të Interit që kanë nisur të entuziazmohen.

Arsyeja është se “Socios.com” është sponsori kryesor i skuadrës së Interit dhe pse jo, duke parë pakënaqësitë që po shoqërojnë Mesin te PSG-ja, ndoshta pas kësaj kontrate mund të fshihet edhe një mundësi që argjentinasi të vishet zikaltër dhe të dhurojë spektakël në fushat e Italisë dhe Europës, edhe me sponsorin e tij të ri të stampuar në gjoks.

Gjithsesi, diçka më shumë do të mësohet në muajt e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat