Ademi rizgjidhet president i FFK-së, paralajmërohet bojkotim nga klubet që përkrahin Gramoz Vokrrin

Futboll

Ademi rizgjidhet president i FFK-së, paralajmërohet bojkotim nga klubet që përkrahin Gramoz Vokrrin

Më: 6 prill 2022 Në ora: 14:46
Valon Zymeri

Grupi i skuadrave të futbollit tw pakënaqura me rizgjedhjen e Agim Ademit në krye të FFK-së, kanë paralajmëruar bojkotim të ndeshjeve të futbollit, pasi sipas tyre Kuvendi i sotëm zgjedhor ishte i jashtëligjshëm.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) pas Kuvendit të Zgjedhor ka bërë të ditur që Agim Ademi ka fituar edhe një mandat katërvjeçar.

Ky Kuvend u zhvillua pa praninë e mediave, gjë kjo që bëri të përhapen spekulime të shumta mbi rregullsinë e këtij procesi zgjedhor.

Agim Ademi ishte kandidati i vetëm për këtë post, pasi Gramoz Vokrrit iu mohua kandidatura, me arsye se nënshkrimet që janë mbledhur nga ky i fundit nuk janë të ligjshme.

Kjo gjë ka bërë që FFK-ja të ndahet në dy grupe, ku edhe disa nga kryetarët e klubeve që favorizojnë Vokrrin kanë bojkotuar procesin e sotëm zgjedhor.

Drejtori sportiv i klubit Drita, Valon Zymeri, në krye me përkrahësit e tjerë të Vokrrit, kërkoi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) që ky proces të mbikëqyret në mënyrë të detajuar, pasi ky Kuvend Zgjedhor sipas tij është i jashtëligjshëm.

Zymeri: Organet kompetente ta monitorojnë procesin, Kuvendi ishte i jashtëligjshëm

"Me këtë rast ftoj organet kompetente monitoruese pranë Ministrisë dhe të gjitha institucionet e tjera që të monitorojnë me kujdes këtë Kuvend, sepse ky Kuvend i jashtëligjshëm nuk e di nëse e ka edhe numrin e saktë të kuorumit, pasi ka plot delegatë të cilët nuk janë pjesë e Kuvendit, dhe i ftoj organet të kenë kujdes në monitorimin, sepse nga ky Kuvend i jashtëligjshëm mund të ketë edhe shumë shkelje të tjera siç janë bërë deri më tani. Nga hapi i parë deri sot ku ata po mbajnë një Kuvend të jashtëligjshëm, dihet që çdo hap që është bërë, është bërë nën shkelje të sportit, ligjit për sport dhe statusit të Federatës”, tha Zymeri.

Më pas, Zymeri tregoi që në rast se nuk ka përfillje të kërkesave të tyre dhe se nëse nuk ndërmerren masa nga institucionet e shtetit, mund të ketë bojkot të futbollit nga klubet në përkrahje të Vokrrit.

Zymeri: Jemi një grup që i qëndrojmë prapa fjalëve tona, nëse nuk ndërmerren masa, do të ketë bojkot

"Ajo çka është më e rëndësishme, jemi një grup të cilët i qëndrojmë mbrapa çdo fjale që e kemi thënë deri tani, dhe sigurisht nëse nuk ndërmerret ndonjë masë nga institucionet e shtetit, atëherë mbetemi të fokusuar t’i shohim hapat e tjerë, dhe pse jo edhe ajo që e kemi thënë shpesh herë se duhet të kemi bojkot, sepse në rast se nuk ka ligje apo institucione të cilat na i mbrojnë të drejtat, atëherë pse duhet të luajmë futboll në një vend ku nuk të mbrohet e drejta jote elementare”, tha Zymeri.

Zymeri e cilësoi këtë Kuvend si të jashtëligjshëm, duke thënë që kur ka pasur manipulime në kandidaturën për kryetar të FFK-së.

Ndërkaq, rikujtojmë se kampioni aktual Prishtina, klubi i Dritës, Kika, Drenica, Vllaznia, Malisheva, Gjakova, Trepça ’89 dhe Ulpiana janë klubet që janë në përkrahje të Gramoz Vokrrit, dhe kundër rizgjedhjes së Agim Ademit në krye të FFK-së.

Gramoz Vokrri pas mohimit të kandidaturës kishte paditur FFK-në në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por që kjo padi u konsiderua pa bazë dhe jashtë normave ligjore, dhe se ky Kuvend Zgjedhor është thirrur në mënyrë ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat