Zgjedhjet, finalja e Conference League, Kosova, Duka rrëfehet në 360 gradë

Futboll

Zgjedhjet, finalja e Conference League, Kosova, Duka rrëfehet në 360 gradë

Më: 7 prill 2022 Në ora: 14:40
Zgjedhjet, finalja e Conference League, Kosova, Duka rrëfehet në 360 gradë

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, rrëfehet në një intervistë të gjatë për mediet ndërkombëtare. Më konkretisht, për median prestigjioze “SportPress 24”, në të cilën numri 1 i futbollit shqiptar premton surpriza në finalen e Conference League, një event madhor për të cilën Shqipëria fitoi të drejtën e organizimit natyrshëm për meritë edhe të impenjimit të tij personal disavjeçar.

Por jo vetëm, në vëmendjen e medies italiane janë edhe zhvillimet e fundit të futbollit shqiptar, zgjedhjet presidenciale dhe ndërhyrjet politike që i shoqëruan, me kreun e FSHF-së që i përgjigjet në këtë mënyrë pyetjes në lidhje me sulmet e kryera ndaj tij nga kundërshtarë që e kishin të vështirë të pranonin sukseset e arritura nga Duka në drejtimin e futbollit.

Ka qenë një periudhë e ndërlikuar dhe e paprecedentë. Eksperienca ime në botën e futbollit është e gjatë por një situatë të tillë nuk e kisha ndeshur asnjëherë më parë. Në periudhën përpara zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, për fat të keq, nuk pata mundësi të dëgjoja asnjë alternativë apo program nga konkurrentët dhe kjo është diçka shqetësuese. Nëse dikush kërkon të mbërrijë një destinacion do duhej së paku një projekt alternativ ti prezantohej komunitetit të futbollit në vend. Kjo nuk ndodhi dhe më la një shije shumë të hidhur sepse dua që gjithmonë të flas dhe diskutoj mbi projekte dhe programe e jo për spekulime e akuza boshe që nuk të çojnë askund. Unë shpalosa projektin tim, strategjinë zhvillimore për 4 vitet e ardhshme dhe prita që të kishim një përballje idesh e platformash që do ti shërbente komunitetit të futbollit për të mësuar më shumë mbi projektet e gjithsecilit. Pavarësisht se kjo nuk ndodhi dhe dëgjoja vetëm baltë, kam vendosur të mbaj shënim çdo kritikë, vërejtje apo sugjerim. Jam më shumë se kurrë i fokusuar për të çuar përpara projektet tona të mëdha.

Në opinionin sportiv ndërkombëtar ka bërë bujë edhe sulmi me tritol në shtëpinë e presidentit të FSHF-së në kulmin e fushatës zgjedhore, një ngjarje kriminale dhe natyrisht e vështirë për vetë Dukën, që shprehet në lidhje me atë episod.

Pa dyshim ka qenë një moment shumë i vështirë për mua. Familja ime ka qenë në shtëpi në momentin e shpërthimit dhe për ta ka qenë edhe më e vështirë. Për fat të mire, dëmet kanë qenë vetëm materiale, ndërkohë që sot që flasim nuk ka ende asnjë autor të vënë para drejtësisë për atë sulm. Momenti i parë ishte shokues, sigurisht, por, pasi mblodha veten, vendosa që të mos dorëzohem dhe të vazhdoj përpara me misionin tim. Familja më ka mbështetur shumë në çaste të vështira dhe nëse do të tërhiqesha pas këtij sulmi të rëndë do të më dukej sikur po i tradhtoja. Ndihem i obliguar ndaj tyre, por edhe karshi familjes së madhe të futbollit, që ka qenë më e bashkuar se kurrë në këto kohë të vështira.

Temë e intervistës është dhe një historik i karrierës së Armand Dukës në futboll, duke nisur nga sponsor i Erzenit dhe më pas i Teutës së Durrësit në fund të viteve ‘90 dhe më pas edhe si president i Federatës Shqiptare të Futbollit, një mision ku gazetarët i kërkojnë numrit 1 të futbollit shqiptar të rendisë arritjet më të rëndësishme, me Dukën që përgjigjet:

 Arritja më e madhe ka qenë pjesëmarrja në finalen e EURO 2016. Më është dukur vetja si në ëndërr kur shikoja Kombëtaren shqiptare të luante në fazën finale të një turneu ndërkombëtar mes ekipeve më të mira të Europës. Gjithashtu, ende më duket e pabesueshme kur shoh stadiumin tonë kombëtar “Air Albania”, një impiant modern e që ofron kushte dinjitoze, njësoj si stadiumet më të mira të Europës. Është një realitet që vjen si pasojë e politikave e strategjive të federatës sonë, i projekteve të përbashkëta e të mbështetura nga UEFA e FIFA e një shpërblim për angazhimin dhe profesionalizmin e administratës tonë. Në këto vite kemi ndërtuar 49 fusha futbolli, 81 fusha minifutbolli, 59 stadiume janë rikonstruktuar dhe në 8 stadiume kemi financuar sistemet e ndriçimit. Në këto vite përfunduam ndërtimin e 3 stadiumeve të reja e po përmbyllim të katërtin. Kemi licencuar 1719 trajnerë dhe 68 trajnere, kemi ndërtuar një strategji të qartë për ekipet kombëtare dhe futbollin e fëmijëve.

Për t’iu rikthyer temës se si e përballoi sulmin politik dhe kërcënimin që vinte prej tij Federatës dhe Futbollit, Duka vë theksin tek uniteti i komunitetit dhe mbështetja ndërkombëtare me pozicionimin e prerë të organizmave madhorë të futbollit.

Për të arritur objektivat që i vumë vetes dhe për të ecur në rrugën drejt suksesit, ne u mbështetëm te njëri-tjetri, duke qenë solidarë brenda familjes sonë të madhe të futbollit, e cila na jep forcë dhe mbështetje të gjithëve. Asgjë nuk është e pamundur, në qoftë se jemi të gjithë bashkë. Më vjen në mendje shprehja e presidentit të UEFA-s, Ceferin, gjatë vizitës në Tiranë: futbolli vendos për futbollin. Dhe ne ia dolëm mbanë përballë çdo kërcënimi, pasi njerëzit e futbollit vendosën për futbollin në Shqipëri.

Duka ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në lobimin për pranimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtare të Futbollit, me gazetarin që i kujton oponencën që u bëri pretendimeve në kongresin e UEFA-s se Kosova nuk mund të bëhej pjesë e Konfederatës Europiane të Futbollit.

E kam thënë edhe atëherë dhe e them sërish, çështja e Kosovës nuk ishte aspak politike. Unë i kam kërkuar UEFA-s dhe anëtarëve të saj, që fëmijëve të Kosovës të mos u mohohet futbolli. Kur përfaqësuesi i Zvicrës po ankohej pas njohjes së Kosovës, se mund t’i largoheshin 5 futbollistë, mbaj mend të kem thënë: “Shqipërisë mund t’i largohet gjysma e skuadrës, por kjo nuk do të thotë që ne duhet t’u mohojmë fëmijëve të këtij vendi të drejtën për të ëndërruar që një ditë do të luajnë me kombëtaren e tyre. Kam bërë gjithçka që Kosova të pranohej në UEFA e FIFA dhe për këtë ndihem krenar. Koha ka treguar se ka qenë një vendim i drejtë dhe në të mirë të futbollit. Sot, Kosova është një realitet i bukur në hartën e futbollit europian dhe ne të gjithë duhet ta mbështesim në rrugëtimin e saj për të arritur standardet më të mira europiane dhe botërore

Në intervistën e tij të gjatë, Duka përsërit qëndrimin e tij duke dënuar agresionin e Rusisë në Ukrainë,  duke bër thirrje për paqe, ndërkohë që për sa i përket arritjes madhore, asaj të së drejtës për të organizuar finalen e Conference League, si dhe për zërat se kjo finale mund të zhvendosej, Presidenti i  Federatës Shqiptare të Futbollit garanton përpjekjet maksimale të institucionit që drejton në mënyrë që Shqipëria të surprizojë botën duke dhënë një imazh pozitiv për Shqipërinë

Ne kemi punuar shumë, prej vitesh, për të arritur që kjo finale të zhvillohet në Tiranë. Një staf i dedikuar i FSHF ka punuar për plotësimin e një dokumentacioni sa më të plotë dhe në nivel profesional. Gjithashtu një pjesë e madhe e stafit të FSHF po bashkëpunon ngushtë me organizatorët për të arritur maksimumin, që kjo finale jo vetëm të jetë një perfeksion nga mënyra e organizimit, por të japë një imazh sa më të mirë, jo vetëm për Tiranën por për të gjithë Shqipërinë. Besoj shumë se e gjithë kjo punë e deritanishme nuk do të shkojë dëm, duke shpresuar në bashkëpunimin me të gjitha strukturat e shtetit shqiptar për të qenë sa më të vlerësuar si vend dhe si strukturë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat