Në Itali e vlerësojnë shumë Zhegrovën, gazetari Di Marzio tregon historinë e lojtarit nga Kosova

Futboll

Në Itali e vlerësojnë shumë Zhegrovën, gazetari Di Marzio tregon historinë e lojtarit nga Kosova

Më: 11 prill 2022 Në ora: 12:53
Edon Zhegrova

Edon Zhegrova tashmë ka filluar të bëjë bujë në mediat ndërkombëtare pas paraqitjeve fantastike në javët e fundit, si me Lille ashtu edhe me kombëtaren e Kosovës.

Zhegrova realizoi dje një eurogol ndaj Angers për të barazuar rezultatin në 1-1.

Para pak çasteve, Di Marzio ka publikuar një shkrim të gjatë për Zhegrovën, ku ka treguar në detaje historinë e sulmuesit kosovar.

“Si fëmijë e quanin ‘Messi i Kosovës’ dhe në moshën 12-vjeçare u zgjodh ndër më të mirët e kampit të Milanos në Prishtinë. Sot ai përpiqet të lansohet në Lille: historia e Zhegrovës”, titullohet shkrimi i publikuar nga Di Marzio në Twitter, ku ai numëron 1.5 milionë ndjekës.

Më poshtë Blic Sport ua sjell të përkthyer shkrimin e Di Marzios për yllin kosovar.

Në xhiron e Ligue 1 në të cilën u shënuan më së shumti gola në të gjithë sezonin (38), më të bukurin e shënoi Edon Zhegrova i Lille në stilin “Robben”. Nuk është hera e parë që ai shënon kështu në karrierën e tij. Zhegrova është një talent i ri i lindur në vitin 1999 – nga i cili prej vitesh kanë pritur shumë. Kur ishte fëmijë ai e çmendi gjithë Kosovën (vendin ku u rrit): gazetat vendase e quanin “Mesi ynë”.

Historia e Zhegrovës

Ai lindi më 31 mars 1999 në Herford (Gjermani), ku prindërit e tij ishin vendosur për t’i shpëtuar luftës. Zhegrova – tash 23 vjeçar – mund të kishte luajtur me katër kombëtare: Gjermaninë, vendlindjen e tij, Shqipërinë, Belgjikën, ku u vendos që në moshën 15-vjeçare dhe Kosovën, të cilën më pas zgjodhi ta përfaqësonte. Ishte zgjedhja e zemrës. Si fëmijë ai konsiderohej si një nga talentet më të mëdhenj në vend. Krahasimet u dyndën pa filtra, por në fushë ai tregoi vërtet gjëra të pazakonta. Prekje elegante e topit, driblime poshtëruese, ftohtësi në zgjedhje, aftësi në gjuajtje dhe mbi të gjitha altruizëm, që nuk është diçka e vogël për një djalë 12 vjeçar që e di se ka më shumë se të tjerët. Në YouTube ka ende video me bëmat e tij kur kishte veshur fanellën e kuqezinjve të Flamurtarit, një klub profesionist në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

Ai kampi i Milanit ku i magjepsi të gjithë

Nga një fanellë e kuqezinjve në tjetrën. Në verën e vitit 2012, AC Milan organizon kampin e Milan Junior pikërisht në Prishtinë. Një mundësi për të zgjeruar markën, për të argëtuar fëmijët dhe pse jo, për të zbuluar talentet e zonës. Aty është Edon Zhegrova.  Ai zgjidhet lojtari më i mirë i kampit dhe ftohet të luajë një ndeshje miqësore në San Siro së bashku me moshatarët e tjerë të përzgjedhur. Një emocion unik që jeton falë talentit të tij. Klubi kuqezi, megjithatë, nuk e transferon atë. Zhegrova niset për në Belgjikë dhe aty do të fillojë të luajë me profesionistët. Standard Liege, pastaj Genk dhe më vonë Basel. Sot Lille.

Dhe kini kujdes. Është e vërtetë që ‘një Messi’ në Lille (tani i shtati në Ligue 1) është pak i pavend. Por kini kujdes, sepse nga atje kanë dalë disa talente që sot vlejnë shumë si: Nicolas Pepe, Osimhen, Jonathan David, Leao, Botman, Maignan, Renato Sanches. Dhe më pas, Milani në ato pjesë e mban gjithmonë njërin sy në fokus. San Siro nuk harrohet: kush e di se një shans i dytë mund të ndodhë në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat