Casemiro: Ne si lojtarë gabojmë në pasime, gjyqtarët gabojnë në vendime

Futboll

Casemiro: Ne si lojtarë gabojmë në pasime, gjyqtarët gabojnë në vendime

Më: 12 prill 2022 Në ora: 15:44
Casemiro: Ne si lojtarë gabojmë në pasime, gjyqtarët gabojnë në vendime

Mesfushori i Realit të Madridit, Casemiro, ka shoqëruar trajnerin Karlo Ançeloti në konferencën për shtyp para takimit të kthimit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve kundër Çelsit.

“Diga” e mesfushës së Realit ka folur për shumë tema, duke prekur pa dyshim edhe një nga më kuriozet, raportin e vështirë të tij me gjyqtarët.

“Unë kam respekt të veçantë për gjyqtarët dhe për kundërshtarin, ndonëse ndonjëherë e teproj. Gjithkush mundohet të mbrojë të drejtën e vet, por gjithnjë duke u treguar i respektuar, vlera të cilat m’i ka mësuar mamaja ime.

Ne si lojtarë gabojmë në pasime, gjyqtarët gabojnë në vendime, por rëndësi ka të punojmë për t’u përmirësuar. Ajo çfarë ndodh në fushë duhet të mbetet aty. E cilësoj si budallallëk të ndëshkohesh për protesta siç më ndodh mua, por ndonjëherë është e vështirë të vetëpërmbahem”, ka thënë Casemiro.

Në konferencën për shtyp Kasemiro ka folur për objektivat e Realit, duke mos i ndarë La Ligën dhe Champions-in.

“Kur flitet për Realin e Madridit, trofetë nuk bëjnë dallim, flitet për të gjithë. Nëse në fillimin e sezonit do të na kishin thënë se në prill do të ndodheshim në këto pozita, do ta kishim firmosur symbyllur.

Por tani që jemi këtu gjithçka është më interesante dhe do të bëjmë gjithçka për t’i fituar të dy trofetë”, ka thënë braziliani.

Mesfushori i Realit në fund i ka dalë hapur në mbrojtje Garet Bejlit i fërshëllyer nga tifozët e Madridit në fundjavë kundër Getafes.

“Kur fërshëllehet një lojtar i skuadrës, fërshëllehemi të gjithë. Në futboll secili ka mendimin e tij, opinionin e vet, por nëse më fërshëllejnë një nga shokët e skuadrës, nuk jam aspak dakord. Fërshëllimat ndaj Bejlit nuk më kanë pëlqyer aspak. Ai është pjesë e historisë së Realit”, ka thënë Casemiro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat