Duro: Sot kishte rëndësi kualifikimi

Futboll

Duro: Sot kishte rëndësi kualifikimi

Më: 13 prill 2022 Në ora: 17:54
Duro: Sot kishte rëndësi kualifikimi

Laçi është finalisti i parë i Kupës së Shqipërisë, pasi mori një barazim 1-1 ndaj Teutës dhe u kualifikua falë fitores 1-2 në Durrës, më 30 mars. Trajneri Shpëtim Duro u shfaq i kënaqur me paraqitjen e të tijve, teksa theksoi se në minutat e fundit mendoi vetëm për të mbrojtur rezultatin.

“Nuk e kuptoj ku u ndje lodhja, sepse ne po luanim shumë më mirë Teuta deri në momentin e golit dhe vazhduam edh më pas. Barazuam dhe në pjesën e dytë krijuam raste për të mbyllur lojën, por shpërdoruam me Guindon dhe Adeleken. Gjithsesi këto janë ndeshje që duhen luajtur me kujdes, pasi vendosin sezonin dhe nuk janë si ndeshje radhe në kampionat.

Guindo ka bërë dy super-ndeshje në këto ditë me mua, pasi edhe në Shkodër ka mbajtur repartin i vetëm. Edhe Adeleke, përveç golit të bukur, ishte problematik për mbrojtjen kundërshtare. Tani jemi më të qetë dhe mund të mendojmë për ndeshjet e kampionatit. Sot kemi rikuperuar Zarubicën, një lojtar shumë interesant në sulm dhe gradualisht presim rikthimin e Malotës, Turkajt e të gjithëve me radhë.

Me skuadra si Laçi, Skënderbeu e Besa është më e vështirë të fitosh trofe, ndryshe nga Tirana apo Partizani. Janë skuadra të organizuara mirë, por nuk kanë traditë me trofetë dhe kjo ka vështirësinë e vet.

Në minutat e fundit u kthyem me 5 mbrojtës, pasi donim vetëm të administronim dhe të kualifikoheshim. Në fund futëm edhe Mazrekajn e Zylfiun, për të mbajtur topin, pasi në këto ndeshje nuk lejohen gabimet. Nuk ka kohë t’i rikuperosh më.

Si Vllaznia, edhe Partizani janë skuadra me traditë e eksperiencë, ndaj nuk kam preferenca. Do të presim me qetësin fundin e ndeshjes, për të parë me cilën do të përballemi.

Trajnerët italianë në Shqipëri? Nuk dua të flas për të gjithë, por Tiziano Gori ka qenë kuzhinier dhe e shoqja i punonte në ambasadën italiane. Duke ditur si ishte puna e vizave atëherë, e sollën si trajner në Shqipëri, por ai ka qenë kuzhinier”, deklaroi Duro, duke iu referuar italianit që e zëvendësoi te Partizani në vitin 2001.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat