Presidenti i Atleticos i përgjigjet ashpër Guardiolës

Futboll

Presidenti i Atleticos i përgjigjet ashpër Guardiolës

Më: 14 prill 2022 Në ora: 13:32
Presidenti i Atleticos i përgjigjet ashpër Guardiolës

“Guardiolismo” kundër “Cholismo”, “tiki taka” kundër goditjes vertikale, prirja sulmuese ndaj vëmendjes mbrojtëse. Atletico Madrid-Manchester City nuk ishte thjesht një sfidë mes dy skuadrave, por edhe dy filozofi loje në krahasim. Pas ndeshjes së parë në “Etihad”, ku “qytetarët” fituan në në shtëpi falë golit të De Bruyne, kritikat ranë mbi trajnerin e spanjollëve, për qëndrimin e tij tepër mbrojtës, shkruan Telesporti,

Në kthimin e “Wanda Metropolitano”, megjithatë, Atletico u përpoq, veçanërisht në pjesën e dytë, të rregullonte diskursin kualifikues, por mes goditjeve të pasakta dhe Edersonit të vëmendshëm nuk arriti ta zhbllokonte rezultatin.

Pas eliminimit, Enrique Cerezo, numri një i klubit spanjoll, komentoi për “Radio Marca”: “Ishte një ndeshje që me pak fat do të na kishte çuar në gjysmëfinale. Nuk patëm fat të mjaftueshëm për të shënuar gola dhe kapur kohën shtesë”.

Presidenti i “Colchoneros” donte t’i përgjigjej edhe Guardiolës, i cili në ndeshjen e parë kishte kritikuar lojën e Atletico Madridit, duke komentuar: “Si në kohët parahistorike, si sot 100 mijë vite më parë, është shumë e vështirë të sulmosh kundër 5-5-0”.

“Ne jemi skuadër që kemi shumë histori, ndaj askush nuk mund të na ofendojë, – u përgjigj Cerezo. – Në fund të dy ndeshjeve u dëshmua se të gjithë kanë parahistorinë e tyre. Ne bëmë një lojë të mirë, duke sulmuar. Në kthim, Manchester City luajti gjithashtu si nga parahistoria, duke u mbrojtur.

Guardiola vendosi një mur para portës së vet që të mos shënojmë. Të gjithë e panë, City ishte një skuadër tërësisht mbrojtëse. Në pjesën e dytë gjuajtën një herë në portë. Dje u tregua se secili ka parahistorinë e vet”.

Më pas vijnë komplimentet për Simeone: “Në aspektin sportiv dhe njerëzor ai nuk mund të kritikohet. Ai di të jetë në vendin e duhur në të gjitha situatat. Do të vazhdojë me ne, aty është historia e tij. Ai është një trajner fitues. Duhet të përgëzojmë edhe fansat tanë, ishin fantastikë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat