Revolucionin te Juventusi

Futboll

Revolucionin te Juventusi

Më: 19 prill 2022 Në ora: 14:38
Del Piero

Juventus po mendon për të ardhmen dhe rindërtimi nis nga “themelet”. Një sezon nën pritshmëri mund të sjellë vendime të rëndësishme në lidhje me bordin drejtues të klubit. Pas 10 vitesh, “Zonja e Vjetër” duket gati për të mirëpritur rikthimin e Alex Del Piero, tani me funksione drejtuese. Ish-numri 10 dhe kapiteni i Juventusit, në muajt e fundit ka qëndruar pranë skuadrës duke “ushqyer” zërat e rikthimit të tij te ekipi i zemrës.

Epoka e Andrea Agnelli-t te Juventusi mund të jetë në “perëndim” dhe kjo nuk është diçka e re, me Del Peiro-n i cili mund të merrte statusin e presidentit të nderit.

Gjithashtu një lëvizje e tillë do të kishte një efekt “domino” te Nedved, që do të detyrohej të tërhiqej nga posti i tij, duke bërë kështu një revolucion shumë të madh në shkallë hierarkie te skuadra torineze. Gjithsesi, për momentin, janë vetëm zëra dhe hipoteza, por rikthimi i Del Piero-s nuk duket i tillë, pasi, ish-kapiteni kërkon të kontribuojë në një moment të tillë, për të dhënë ndihmën e tij në ringritjen e Juventusit, pas një sezoni të vështirë.

Pastaj, në fund është kapitulli Allegri. Kontrata e italianit përfundon në vitin 2025 dhe midis Allegrit dhe Juventusin qëndrojnë shifra të frikshme dhe për momentin duket e vështirë që të flitet për një “divorc” mes palëve. Gjithsesi, kjo nuk e ndryshon aspak faktin se situata në kampin torinez nuk është aspak e qetë dhe gjithçka do të varet nga fundi i sezonit, me Juventusin që ka objektiv primar zonën Champions dhe Kupën e Italisë.

Nëse këto objektiva realizohen, atëherë sezoni nuk do të quhej plotësisht i “falimentuar”. Ajo që vendos në diskutim të ardhmen e Allegri-t është pikërisht tema pak më sipër, e ndryshimit të presidencës. Pasi me largimin e Agnelli-t, trajneri Allegri mund të jetë i radhës. Për italianin kjo situatë nuk është aspak e mirë, por pavarësisht sezonit të vështirë, Allegri ka admirues të shumtë në Europë, si PSG që është e gatshme të përfitojë nga një situatë e tillë.

Tani, për momentin, Juventusi, Agnelli dhe Allegri janë të fokusuar te fundi i sezonit, por vera pritet të jetë shumë e nxehtë në Torino, me “Zonjën e Vjetër” që është gati për një revolucion të madh dhe për të hapur një kapitull të ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat