Miku i paftuar në dasmën që prishi gjithë festën e krijuar

Futboll

Miku i paftuar në dasmën që prishi gjithë festën e krijuar

Më: 24 prill 2022 Në ora: 14:34
Duro

Shpëtim Duro është gati sërish për Laçin e tij, për të përsëritur sërish atë sukses të mrekullueshëm në Europë ku bëri krenar të gjithë shqiptarët. Kurbinasit arritën që të eliminon Craiovan duke shkaktuar tronditje të madhe në Rumani dhe më pas u përballën në mënyrë dinjitoze me Anderlehtin.

Një largim i papritur erdhi për Duron, që u kthye në po të njëjtën mënyrë te Laçi. Por a do të jetë gati ky trajner që të përsërisi ecurinë mbreslënëse në Europë? Po, prova e parë erdhi! Nuk ishte ndeshja me Teutën në të cilën Laçi kaloi në finalen e Kupës së Shqipërisë, por ajo në “Kukës Arena”.

Të gjithë ishin të përgatitur për festën e madhe, Kukësi po rikthehej në shtëpi pas disa vitesh. Madje lojtarët as nuk e besonin se një stadium i tillë u përkiste atyre. Personazhet më të rëndësishme në vend kishin ardhur për të ndjekur takimin dhe shumë prej tyre uronin për të parë një gol të Kukësit dhe shpërthimin e tifozëve verilindorë.

Ftesat ishin të shpërndarë për të gjithë, por Laçi dhe Shpëtim Duro ishin të vetmit “të paftuar” në atë festë që nuk iu përkiste. Për më tepër, rivaliteti mes dy ekipeve është i madh dhe nuk shquhen për ndonjë dashuri të madhe mes tyre. Në fund, Duro arriti që të ndalte Kukësin në atë barazim pa gola, arriti që të ndalte euforinë e tifozëve që kishin stërmbushur Kukës Arenën.

Fajtori i vetëm që spektakli i djeshëm nuk u përmbush siç të gjithë prisnim, por duhej ky trajner që ta ulte sërish me këmbë në tokë për të kujtuar se shqiptarët i bëjnë shpesh “petullat me ujë” duke kujtuar se mund të fitohet vetëm duke i rënë daulles dhe kambanave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat