Si ndryshoi marrëdhënia e tifozëve të Arsenalit me Granit Xhakën?

Futboll

Si ndryshoi marrëdhënia e tifozëve të Arsenalit me Granit Xhakën?

Më: 1 maj 2022 Në ora: 12:52
Si ndryshoi marrëdhënia e tifozëve të Arsenalit me Granit Xhakën?

Në tetor të vitit 2019, pas një ndeshje ndaj Crystal Palace ku Arsenal barazoi me rezultatin 2-2, dukej se ishte shënuar edhe fundi i karrierës së Granit Xhakës me fanellën e topçinjve. Mesfushori me tipare difensive u zëvendësua në atë kohë nga trajneri Unay Emery ndërsa tifozët në Emirates nuk i kursyen ofendimet dhe vërshëllimat ndaj lojtarit me origjinë shqiptare.

Ky i fundit, iu kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë tifozëve teksa hodhi në tokë shiritin e kapitenit, hoqi në mënyrë demonstrative bluzën dhe iu dërgoi një “përshëndetje” me një fjalor të rëndë tifozëve në tribuna. Në atë kohë, vetë mesfushori e pranoi se e kishte mbyllur me Arsenal dhe po priste të firmoste me një tjetër skuadër.

Mirëpo kur jemi 30 muaj pas atij muaji, Xhaka është sërish lojtar i Arsenal, teksa edhe pse nuk mban shiritin e kapitenit, sërish mbetet një lider për formacionin e teknikut Mikel Arteta. Ishte pikërisht spanjolli që i besoi shumë mesfushorit, me Xhakën që nga muaji dhjetor ka qenë një titullar i padiskutueshëm i The Gunners.

Në fundjavën e kaluar, Xhaka ishte vendimtar për Arsenal teksa shënoi në triumfin e londinezëve ndaj Manchester United. Një gol që mund t’i dhurojë Arsenalit kualifikimin e shumëdëshiruar në Champions League, ndërsa marrëdhënia me tifozët duket se po iu rikthehet ditëve më të mira.

Vetë Xhaka e ka theksuar se ai dhe tifozët e Arsenal nuk do të jenë kurrë si “dy miq të ngushtë”, megjithatë fansat e Arsenal e kanë vlerësuar sakrificën e mesfushorit ndërsa goli ndaj United i afroi edhe më shumë palët.

Tashmë, në Emirates, vërshëllimat ia kanë lënë vendin duartrokitjeve dhe Xhaka me grintën e shpirtën e lartë luftarak po rifiton tifozët e tij ndërsa ndaj United, 29-vjeçari nuk ngurroi edhe t’i dërgonte puthje mbështetësve në shkallët e stadiumit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat