Lulzim Abazi sikur në qiellin e shtatë, shpëtoi klubin nga shuarja dhe riktheu në elitë

Futboll

Lulzim Abazi sikur në qiellin e shtatë, shpëtoi klubin nga shuarja dhe riktheu në elitë

Nga: K. G. Më: 8 maj 2022 Në ora: 14:28
Lulzim Abazi sikur në qiellin e shtatë, shpëtoi klubin nga shuarja dhe riktheu në elitë

Lulzim Abazi është sikur në qiellin e shtatë, feston rikthimin e ekipit të tij në elitën e futbollit të Kosovës. 

Abazi është kryetar i klubit të futbollit Ferizaj, i cili me një punë të madhe me stafin e tij, me kryetrajnerin Arbnor Morina dhe futbollistë, rikthyen ekipin në elitë.

Në pesë javët e para nuk e kishte të lehtë, sepse skuadra e tij kishte vetëm dy barazime e tre humbje dhe ishte në fund të tabelës së Ligës së Parë të Kosovës, Grupi B.

Pas largimit të kryetrajnerit Megzon Visoka, vjen Arbnor Morina, kthehet fryma dhe vargojnë fitoret rresht. 

Përderisa në pesë javët e para Abazi kruante kokën nga sikleti, pas javës së pestë i shkëlqente fytyra. 

Ferizaj është kampion i ligës së parë, aktualisht ka 59 pikë një javë pa ra perdja e kampionatit. 

Abazi ka postuar një shkrim në faqen e tij, duke iu gëzuar rikthimit në shoqërinë e më të mirëve.

“Rikthimi në Superligë, një mision i përmbushur, që i hap rrugë sfidave dhe sukseseve tjera.

Para një viti Klubi i Futbollit “FC Ferizaj” mezi e siguroj ekzistencën në Ligën e parë.

Atëbotë, si për çudi ndeshjen e fundit FC Ferizaj e zhvilloi ne Han të Elezit dhe me shumë mund doli fitues ne përballje me” Dardanën “nga Kamenica.

Ajo ndeshje, përveç që shpërfaqi gjendjen në të cilën ishte katandisur klubi, shërbeu edhe si mesazh se ndryshimi më në fund duhet të ndodh.

Në këtë drejtim, ishin bërë hapat e parë. Bashkuam forcat dhe mendjet, me synimin e qartë, ta rikthejmë klubin aty ku e ka vendin, në elitën e futbollit të Kosovës. Nuk ishte e lehtë, u dasht shumë mund e djersë, shumë sfida e përballje jo të lehta.

Zhvilluam dhjetëra ndeshje, secila më e rëndësishme se tjetëra.Nuk u ndalëm, as atēherë kur startin e patëm të vështirë.

E kishim objektivin e qartë…Ia dolëm!

Të gjitha këto, përnjēherë u harruan dje, kur  festuam inkuadrimin në Superligë.

Emocione e lot u derdhën pa masë, urime e duartrokitje pa kufi, atmosferë impozante që vetëm ferizajasit dijnë ta bëjnë, në krye me tifo- grupin “Ujqit”, të cilët i falënderoj pa masë.

Por, vargu i falenderimeve, nuk ndalet këtu, është i gjatë, duke filluar nga qytetarët, lojtarët e shtabi teknik, si bartës të suksesit, aksionarët e sponzorët e deri tek Federata e Futbollit të Kosovës.

Me përulje ju falemnderohem!

Te vetëdijshëm se Superliga kërkon tjetër angazhim nuk do na zmbrapsë nga kërkimi i suksesit. I kemi bërë të gjitha “llogaritë” do vazhdojmë me ritëm të njëjtë. Do të jemi te konsoliduar dhe krenaria e qytetit.

Këtë po e dëshmojmë me punë për çdo ditë. Na priftë e mbara! Suksese!”, shkruan Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat