Çeferin paralajmëron edhe një mandat të ri në krye të UEFA-s

Futboll

Çeferin paralajmëron edhe një mandat të ri në krye të UEFA-s

Më: 11 maj 2022 Në ora: 14:03
Çeferin paralajmëron edhe një mandat të ri në krye të UEFA-s

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin do të kandidojë për mandatin e tij të tretë në krye të institucionit të futbollit evropian.

Një gjë e tillë u bë e ditur në Kongresin e 46-të të UEFA-s që u mbajt sot në Vjenë. Në punimet e këtij Kongresi kanë marrë pjesë edhe drejtuesit e FFK-së, kryetari Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe u.d.sekretari i përgjithshëm, Taulant Hodaj.

“Gjatë punimeve të Kongresit zëvendëspresidenti Karl-Erik Nilson paralajmëroi se me insistimin e presidentit të Federatës daneze të futbollit, presidenti aktual i UEFA-s, Aleksandër Çeferin do të kandidojë edhe për një mandat në krye të këtij institucioni. FFK ishte ndër federatat e para që i dha përkrahje kandidimit të presidentit Çeferin së bashku me Federatën e Shqipërisë dhe atë të Maqedonisës së Veriut.

Ndërkaq, pas paralajmërimit se synon edhe një mandat, Çeferin mori duartrokitje frenetike nga të gjithë delegatët e Kongresit, duke u vërtetuar kësisoj përkrahja e plotë që gëzon nga komuniteti i futbollit evropian për mandatin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e FFK-së rreth punimeve të Kongresit të UEFA-s.

Slloveni Çeferin e drejton UEFA-n që nga viti 2016, ndërsa në vitin 2019 u konfirmua në këtë pozitë dhe aktualisht ka mandat deri në vitin 2023.

Para punimeve të këtij kongresi kreu i FFK-së ka pasur takim me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen dhe vëmendjen që i jep futbollit të Kosovës, teksa në në prag të shënimit të 6-vjetorit të Kosovës si pjesë e familjes së futbollit botërore ia ka shprehur mirënjohjen e tërë komunitetit të futbollit kosovar për kontributin e tij në procesin e anëtarësimit të Kosovës në FIFA.

Kongresi i ardhshëm do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë më 5 prill të vitit 2023, ku edhe do të zgjidhet presidenti i UEFA-s për mandatin e ri katërvjeçar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat