Christensen: Stili im i përshtatet Barcelonës

Futboll

Christensen: Stili im i përshtatet Barcelonës

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 18:31
Christensen: Stili im i përshtatet Barcelonës

Andreas Christensen mbërrin në “Camp Nou” për të kontribuar me përvojën e tij në mbrojtjen e Barcelonës.

Danezi ka firmosur kontratë deri në vitin 2026 pasi mbërriti si lojtarë i lirë nga Chelsea.

Menjëherë pas prezantimit, mbrojtësi ka thënë edhe fjalët e para si një katalanas, teksa ka theksuar se priste prej vitesh një mundësi të tillë, ndërsa nënvizon se filozofia e tij e lojës i përshtatet klubit spanjoll.

“Unë vij të kontribuoj me punën time dhe do të mësoj akoma më shumë. Mendoj se potenciali i këtij ekipi është të fitojë gjithçka dhe kjo nuk ka ndryshuar në historinë e klubit.

Çdo lojtar dëshiron të luajë çdo ndeshje, të dalë në fushë çdo javë. Ka konkurrencë dhe kjo është e shëndetshme sepse do të më bëjë të përmirësohem. Nuk dua të hyj në emra, të gjithë mbrojtësit e Barçës janë të jashtëzakonshëm”, ka theksuar fillimisht Christensen.

Gerard Pique? “Ai është një legjendë dhe mendoj se mund të mësoj prej tij dhe nga të gjithë”.

Christensen ka konfirmuar se ka folur disa herë me Xavi Hernandez para se të merrte vendimin të kalonte në “Camp Nou”.

“Ai nuk më kërkoi asgjë të veçantë. Jam këtu për lojtarin që kam qenë dhe si person. Mendoj se përshtatem mirë me Barcelonën, me stilin e tyre. Nuk kam pse të ndryshoj asgjë. Bisedat janë private. Më thanë se u pëlqen stili dhe personaliteti im. Unë jam i qetë dhe i rezervuar dhe kjo më ka sjellë këtu”, ka nënvizuar ish-lojtari i Chelsea.

Qendërmbrojtësi danez kishte muaj që priste transferimin e tij te Barcelona. E kishte premtuar që në dimër por vetëm dje firmosi. Muajt ​​e tij të fundit në Chelsea nuk ishin të lehtë.

“Kjo ishte një gjë e së kaluarës. Po kaloja momente të vështira ato javë. Ndihem shumë krenar që kam luajtur në Chelsea, kam fituar tituj dhe kam qenë shumë i lumtur atje” ka përfunduar Christensen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat