Di Maria: Juventusi është një etapë e re

Futboll

Di Maria: Juventusi është një etapë e re

Më: 10 korrik 2022 Në ora: 12:04
Di Maria

Ndonëse te Juventusi do të qëndrojë vetëm 1 vit, siç nënvizon edhe kontrata e nënshkruar dje, por me shpresën se nëse gjërat shkojnë mirë, akordi edhe mund të zgjatet, Angel di Maria është pritur si hero.

Në orën 8:50 të mëngjesit të djeshëm, kur kishte planifikuar edhe kryerjen e vizitave mjekësore, në “J-Medical” startoi menjëherë një atmosferë stadiumi, me 200 të pranishmit që u panë në delir për Di Marian.

Madje, një eufori si ajo, duke parë edhe kërkesën, “Na sill Champions-in”, kishte 4 vite që nuk shihej në Torino dhe të gjithë e dimë se për cilin po flasim (referuar Kristiano Ronaldos)…

Disa prej tyre nuk nguruan që t’i vendosin edhe pseudonimin e ri amerikanojugorit, “Di Magjia”, i cili shpresohet që t’u sjellë fat.

Madje, në ekstazë për sulmuesin argjentinas 34-vjeçar ishte edhe trajneri Masimiliano Alegri, ai që e kërkoi me çdo kusht mëngjarashin te Juventusi, i cili ishte i pari që e takoi dhe nuk nguroi që të shkrepë edhe foton e parë me “El Fideon”.

“Spageti”, siç është edhe pseudonimi i tij, lidhur me fizikun e dobët, kaloi pozitivisht testet dhe më pas firmosi kontratën 12- mujore, por me shifra krejt të tjera nga çfarë mendohej: 5.5 milionë euro neto, plus 1.5 milionë të tjera në formë bonusesh, lidhur me paraqitjet personale dhe arritjet e klubit.

Dhe me të mbaruar të gjitha procedurat në fjalë, Angel di Maria, nuk nguroi që të shprehë edhe fjalët e para, për mikrofonat e televizionit të klubit.

“Për mua, Juventusi është një etapë e re dhe jam shumë, por realisht shumë i gëzuar.

Nga momenti që i thashë ‘PO’ Juventusit, nga dita e parë pashë një ndryshim total, një sjellje e veçantë nga ana e të gjithave në klub.

Më bënë që të ndihem menjëherë pjesë e familjes, atyre njerëzve që kujdesen për ty në çdo detaj dhe e vërteta është që diçka të tillë nuk e prisja dhe ky fakt më bën realisht shumë të lumtur”, ishin fjalët e para të argjentinasit, i cili zgjodhi numrin 22 në fanellë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat