Bozhidar Vuksanoviq: Arbnor Morina më priti si vëlla! Rrugës së Prishtinës takova...

Futboll

Bozhidar Vuksanoviq: Arbnor Morina më priti si vëlla! Rrugës së Prishtinës takova...

Nga: Kemajl Goca Më: 10 korrik 2022 Në ora: 19:19
Bozhidar Vuksanoviq

Emocionohet kur përmendet emri i Prishtinës.

Nuk i fsheh emocionet ish portieri i futbollit, malazezi Bozhidar Vuksanoviq!

Kujton vitet e arta me klubin e futbollit Prishtina, periudhën 1988-1990. 

Image

KF Prishtina e vitit 1990-1991, në këmbë: Avni Stublla, Bozhidar Vuksanoviqi, Fehmi Hyseni, Arbnor Morina, Muhamed Kolenoviqi. Ulur: Mensur Nexhipi, Sunaj Keçi, Adil Vokrri, Arbër Hasangjekaj, Mentor Bardhi dhe Harun Isa.

Edhe sot mban kontakt  me bashkëlojtarët e saj kohe, si Arbnor Morinën, Mensur Nexhipin, Besnik Kollarin, Ardian Koznikun, Ibrahim Domin, Sunaj Keçin etj.

Vuksanoviqi i takon plejadës së Prishtinës së Ligës së Dytë federative të Ish Jugosllavisë. 

Image

Malazezi ka qenë prej portierëve më të mirë që ka pasur Prishtina në periudhën 1988-1990, aktualisht është trajner i portierëve të Kombëtares A të Malit të Zi. 

Mezi pret që të mërkurën të zbarkojë në Prishtinë, siç thotë ai, në stadiumi e tij të dashur të Prishtinës (tani “Fadil Vokrri”).

Vuksanoviqi vlerëson lart Prishtinën dhe qytetarët e saj, në përgjithësi të Kosovës. 

Flet për ndeshjen e kthimit mes Llapit dhe Buduçnostit të Podgoricës, në kuadër të rrethit të parë kualifikues të Conference League. 

Sipas Vuksanoviqit, Buduçnosti ka pasur mundësinë të fitoi takimin më bindshëm se 2:0 sikur të shfrytëzonin epërsinë e një lojtarit më shumë nga minuta e 30-të.

Vuksanoviqi thotë se ky rezultat i jep mundësi Llapit që të shpresojë.

 “Ne patëm rastin për të siguruar një udhëtim të sigurt në Prishtinë, kur e kishim rezultatin 2:0 patëm një lojtar më shumë por nuk e shfrytëzuam dhe e kemi lënë Llapin të ketë të drejtën e shpresës.

E di se çfarë atmosfere mund të jetë në stadiumin tim të dashur, kështu që do të jetë një barrë shtesë për ekipin e ri të Buduçnostit”, thotë Vuksanoviqi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Si e kujtoni kohën tuaj në KF Prishtina 1988-1990, publiku dhe lojtarët?

“Sa i përket kohës së kaluar në Prishtinë, do të mbetet e paharrueshme sepse në Prishtinë kam bërë shumë miq me të cilët kam kontakte edhe sot. 

Vitin e kaluar kur erdha me kombëtaren (Malin e Zi), Arbnor Morina më priti si vëlla dhe më dërgoi për shëtitje nëpër Prishtinë ku takova shumë fansa, që më njohën edhe pas kaq vitesh. 

Duhet të them, se jam në kontakt edhe me Koznikun, Kollarin, Domin, Nexhipin, tani u takova me Keçin, që ishte një kënaqësi e madhe për mua.

Në ato vite se si është dashur futbolli në Prishtinë nuk mund të përshkruhet, duhet përjetuar, prandaj mezi pres që të mërkurën të shëtis nëpër Prishtinë, ku janë gjithmonë të mirëseardhur ata që janë të interesuar për sportin, domethënë futbollin”, përfundon Vuksanoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat