Ka një pasuri prej 300 milionë eurosh

Futboll

Ka një pasuri prej 300 milionë eurosh

Më: 13 korrik 2022 Në ora: 16:55
Martin Braithuejt

Sulmuesi i kombëtares daneze, Martin Braithuejt, është pa dyshim një rast suksesi në planin personal. Por nga ana tjetër, ai mund të cilësohet si një nga blerjet e shumta të dështuara të Barcelonës.

Në nisjen e vitit 2019, sulmuesi aktual i katalanasve aktivizohej në kategorinë e dytë në Angli (Championship) në radhët e Midëllsbrout. Sigurisht edhe atje pa ndonjë shkëlqim të madh. Ai kishte shënuar vetëm 3 gola në 17 ndeshje me këtë klub kur la Anglinë për t’u transferuar në Spanjë për t’iu bashkuar Leganesit.

Kapërcimi i tij do të ishte i pabesueshëm, teksa një vit pas transferimit te Leganes, ai hodhi hapin më të madh në karrierë, duke iu bashkuar Barcelonës.

Me Barcelonën ai numëron 10 gola të shënuar në 58 takime. Këto nuk janë shifra sugjestionuese. Jo më kot Barcelona është gati t’i bëjë dalje në merkaton e verës. Por nëse suksesi i tij në fushë mund të shihet me mëdyshje, jashtë saj ai është lojtari më i pasur i klubit pas largimit të Lionel Mesit.

Lajmi është bërë me dije nga revista “Forbes”, si dhe nga gazeta spanjolle “Marca”. Për shumë nga tifozët e Barcelonës e jo vetëm, ky lajm përbën një surprizë. Kjo pasi ai nuk është se përfiton shuma marramendëse nga kontrata me Barcelonën. Sipas gazetës katalanase “Sport”, ai fiton 77 mijë euro në javë te Barça, që është shumë më pak se të tjerë lojtarë të rëndësishëm të klubit.

Burimi i pasurisë për Martin Braithuejt vjen nga tjetërkund. Në vitin 2017, sulmuesi danez ka investuar 850 mijë dollarë në një sipërmarrje të quajtur “NYCE Companies” (kompani ndërtimi).

Për fatin e tij dhe dajës me të cilin po bën biznes, gjithçka ka shkuar shumë mirë, çka ka bërë që pasuria e tij të shtohet vit pas viti.

Në fund të vitit 2017, përfitimet ishin 10 milionë dollarë, duke u ngjitur në 250 milionë në vitin 2021 dhe tani, sipas vetë kompanisë, asetet e saj kanë arritur në 300 milionë dollarë. Në vitin 2021, gazeta daneze “BT” raportonte se kompania ku është aksioner sulmuesi i Barcelonës, ka ndërtuar 1500 apartamente, teksa 500 të tjera janë në proces ndërtimi. Kompania në fjalë nuk është e vetmja për Martin Braithuejt. Sulmuesi danez zotëron dhe një kompani veshjesh “Trente” së bashku me bashkëshorten e tij. Kompania raportohet të ketë pasur një sukses të madh në Francë. Biznesin e tij, Braithuejt e ka përqendruar edhe në Barcelonë, ku ai është pronar i një restoranti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat