Pak fjalë për fushën e shumë për tifozët, flet Tahir Batatina para përballjes me Buduçnostin

Futboll

Pak fjalë për fushën e shumë për tifozët, flet Tahir Batatina para përballjes me Buduçnostin

Më: 13 korrik 2022 Në ora: 19:39
Tahir Batatina

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka folur gjerë e gjatë për ndeshjen kthyese të Ligës së Konferencës kundër Buduçnostit e cila zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Tekniku i skuadrës nga Podujeva konfirmoi para mediave se nesër do të zbresë në fushë me një taktitë të re në kërkim të përbysjes së rezultatit nga ndeshja e parë ku ka humbur 2-0.

Batatina: Do të ndryshojmë taktikisht

“Përshtypja ime e parë rreth skuadrës për këtë ndeshje, duke e ditur se është një ndeshje e veçantë pasi e kemi ndeshjen e dytë kthyese dhe shpresoj që ne do të kemi marrë të gjitha masat si skuadër që ta bëjmë maksimumin në çdo aspekt duke filluar nga aspekti organizativ, pjesa taktike, pjesa mentale e cila është shumë e rëndësishme në këtë ndeshje...Mendoj që nesër do të jetë një ndryshim i cili do të jetë pjesë e taktikës së lojës, si do t’i qasemi lojës duke e ditur që kemi informacionet e duhura për skuadrën kundërshtare pasi ndeshjen e parë kemi luajtur dhe i dimë të gjitha pikat e forta dhe të dobëta. E dimë skuadrën kundërshtare se çfarë fuqie ka dhe mendoj se ne duhet të ndryshojmë nesër taktikisht”, tha Batatina.

Ai më tutje konfirmoi se nëse do të kalohet kjo pengesë, skuadra do të ketë një premi prej 20 mijë eurove.

Batatina: 20 mijë euro është premia për skuadrën nëse kalojmë tutje.

“Skuadra e Llapit ka pasur bonuse gjithmonë edhe në ndeshjet vendore si skuadër. Mendojë që lojtarët kanë një bonus të mirë të cilin do ta marrin nesër. Bonusi i tyre do të jetë duke përfshirë bashkarisht të gjithë lojtarët, me stafin, me njerëzit që janë përreth skuadrës ku do ta kenë një premi prej 20 mijë euro për kualifikim tutje në këtë ndeshje, ku do të jetë një shumë mendoj që e konsiderueshme për çdo lojtar për raundin e parë.”, theksoi Batatina.

Ai më pas foli edhe për temën e shumëpërfolur në lidhje me organizimin e tifozëve për ta mbështetur skuadrën e tij, organizim ky i cili vjen si kundërpërgjigje ndaj provokimeve që iu bënë Llapit në ndeshjen e parë në Mal të Zi.

Batatina: Organet ë sigurisë duhet ta vlerësojnë nëse tifozët e Buduçnosit duhet të lejohen të vijnë

“Sa i përket kundërshtarit dhe tifozëve kundërshtarë, ata ende nuk kanë dhënë ndonjë konfirmim zyrtar. Ata ende pa ardhur në Kosovë kanë filluar me parulla nxitëse të cilat mund ta nxisin situatën që ne e kemi parë përmes mediave. Mendoj që ne kemi qenë të kujdesshëm si skuadër kur kemi udhëtuar në Podgoricë, nuk kemi bërë provokime, kemi qenë të matur, të kujdesshëm edhe gjatë kohës para ndeshjes edhe pas ndeshjes... Është përgjegjësi e organeve të rendit të Republikës së Kosovës ta vlerësojnë situatën se a duhet të pranohen këta tifozë të vijnë apo nuk duhet të pranohen në këtë situatë në të cilën jemi.”, shtoi trajneri i Llapit.

Në lidhje me mundësinë që një përkrahje e madhe të ndikojë që lojtarët e Llapit të shpërqëndrohen në fushe, kapiteni Bujar Idrizi tha se lojtarët e kësaj skuadre janë mësuar të kenë përkrahje të madhe në tribuna.

Idrizi: Nesër do të jetë ndjenjë e veçantë për ne

“Po besoj që ne si skuadër jemi mësuar t’i kemi këta tifozë, duke e ditur se nuk është hera e parë që mbushet “Fadil Vokrri” nga skuadra jonë sepse e kemi mbushur këtë stadium edhe vite më parë edhe stadiumin e Llapit, ndoshta përgjysmë e kemi çdo ndeshje. Do të jetë ndoshta një ditë e veçantë për ne nesër si lojtarë sepse nuk është gjest i keq ose i ulët të luash me tifozë vijnë të të përkrahin edhe ndoshta edhe nga Kosova e Shqipëria dhe është një ndjenjë shumë e veçantë nesër.”, tha Idrizi.

Sa i përket organizimit me tifozë, Batatina deklaroi në fund se kjo ide nuk erdhi pas incidentit që ndodhi në Podroricë, por ishte planifikuar shumë më herët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat