Ish futbollisti i Dritës paralajmëron, kujdes me belgët

Futboll

Ish futbollisti i Dritës paralajmëron, kujdes me belgët

Nga: Më: 17 korrik 2022 Në ora: 18:56
 Agron Krasniqi

Skuadra e Dritës pas kalimit të  rrethit të  parë në  arenën ndërkombëtare, më  21 korrik, do të ballafaqohet me skuadrën e njohur belge,  Royal Antwerp Foutbal Club nga Antwerpeni i Belgjikës.

Se me çfarë  kundërshtari  në  të  vërtetë  ka të  bëj, sa janë  gjasat reale që  Drita të  mposht edhe këtë  gjigant evropian, çfarë duhet pasur kujdes dhe si t’i qasen lojës, flet ish futbollisti i Dritës dhe Gjilanit,  Agron Krasniqi - Koci, i cili jeton dhe vepron në Belgjikë, përkatësisht në  Antwerpen.

Ai  ka paralajmëruar skuadrën e tij të  vendlindjes Dritën, që të ketë kujdes ndaj skuadrës belge, sepse bëhet fjalë për një rival serioz dhe shumë  mirë të organizuar e profesional, e që në organikën e saj,  ka lojtarët me përvojë dhe të kalibrit botëror.

“Antwerp sivjet ka bërë ndryshime në organizimin të brendshëm dhe në shtab  teknik, si kundër edhe në kontingjentin e lojtarëve, me të vetmin qëllim që të luftojë për titull kampioni dhe cilësohet një nga skuadrat më të forta në kampionatin e Belgjikës”, ka thënë ish sulmuesi i dy skuadrave gjilanase, Krasniqi, i cili ka shtuar se kjo skuadër në krye të shtabit  teknik ka emëruar holandezin Mark van Bommel, ish futbollist i Barcelonës, kurse drejtor klubi kanë zgjedh bashkëvendasin e tij, Marc Overmars, po ashtu ish futbollist i Barcelonës dhe ish drejtor i Ajaxit. 

Se me çfarë sistemi do të luan Antwerpen, Krasniqi, thotë se është herët të dihet, meqë këto ndryshime janë bërë sivjet me të përfunduar kampionati, mirëpo ajo që dihet dhe që është proklamuar në kampin e skuadrës belge është krijimi i një skuadre , që do të aplikoj lojën e modelit të futbollit holandez, prandaj edhe angazhimet e kësaj dyshe janë pikërisht për këtë qëllim.

Ai ka bërë të ditur se kjo skuadër, tashmë ka filluar hulumtimet dhe skanimet e lojës së Dritës dhe është duke e vlerësuar në mënyrë profesionale, pa e nënçmuar fare dhe e ka marrur shumë seriozisht.

Krasniqi ka nënvizuar,  se në skuadrën e qytetit të diamantit  është edhe një futbollist shqiptar me prejardhje nga Ferizaj, Laurit Krasniqi, i cili luan në pozitën e mesfushorit, 20 vjeçar dhe një nga lojtarët më perspektiv të këtij klubi.

Gjithashtu Krasniqi, që ka qenë edhe trajner në U12 dhe U14 ,  në  kategorinë  e dytë  kur ka qenë ky ekip, ka pohuar se kjo skuadër është në negociata të avancuar edhe me Adnan Januzajn, teksa tashmë kanë siguruar shërbimet e ish-yllit të Tottenhamit, Toby Alderweireld dhe  kanë arritur marrëveshje me një tjetër futbollist.

Bëhet fjalë për argjentinasin Gaston Avila, i cili vjen nga Boca Juniors.  

“Skuadra “bardhe kaltër” duhet mirë ta përgatitë ndeshjen në çdo aspekt, ta studiojë hollësisht lojën e këtij klubi, ta marrin shumë  seriozisht, sepse këtë  here  kanë rival  një skuadër tepër të fortë dhe assesi nuk duhet dorëzuar, por përkundrazi lypset vullnet dhe motiv shtesë . Gjasat në  futboll gjithmonë  ekzistojnë”, ka thënë, ish numri 7 i Dritës, Krasniqi.

Kjo skuadër sipas Krasniqit, është ndër të parat e formuar në Belgjikë, është ekip mbretëror, ka sponzor të fortë dhe karakterizohet me një tifozeri huliganësh dhe të devotshëm, ndërkaq para 5 viteve është  rikthyer sërish në  elitën e futbollit belg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat