Morina tregon objektivin

Futboll

Morina tregon objektivin

Më: 5 gusht 2022 Në ora: 22:59
Morina

Pas një edicioni fantastik në Ligën e Parë, FC Ferizaj arriti të rikthehej në elitën e futbollit.

Nën drejtimin e Arbnor Morinës, skuadra e njohur kosovare pritet që të mos jetë kafshatë e lehtë as për ekipet e Superligës së Kosovës.

Ferizajasit fazën përgatitore para fillimit të kampionatit e zhvilluan në Mavrovë, ku edhe luajtën dy ndeshje miqësore.

Në një prononcim për Gazetën Olle, kryetrajneri Arbnor Morina flet për përgatitjet e fundit të ekipit dhe pritshmëritë për edicionin e ri.

“Pas ardhjes nga faza përgatitore në Maqedoni, kemi vazhduar me ritmin e punës të paraparë me planin e përcaktuar në fillim duke stërvitur në fushën tonë në Ferizaj. Në Maqedoni kemi luajtur edhe dy ndeshje kontrolluese dhe të dielën kemi paraparë edhe një ndeshje me të cilën definitivisht do të dijmë se sa afër jemi kërkesave tona në lidhje me ekip”, tha fillimisht Morina.

Tutje, kryetrajneri i Ferizajt flet për objektivat e ekipit të tij në Superligë.

“Testimet mjekësore kanë treguar se ekipi është i përgatitur mirë dhe tash mbesin detajet për t’u përgatitur për ndeshjen e parë kampionale. Objektivi ynë është stabilizimi në Superligë, sepse jemi të vetëdijshëm se kemi të bëjmë me ekipe të fuqishme dhe të kompletuara mirë.”

Ferizajasit kanë afruar shtatë futbollistë në merakton verore, duke qenë skuadër mjaft aktive në afatin kalimtar.

Morina nuk jep detajë më shumë rreth transferimeve, por as nuk e mbyll mundësinë që mund të ketë edhe ndonjë prurje tjetër.

“Nëse lëviz dikush në momentet e fundit ndoshta edhe mund të ketë ndonjë transferim tjetër”, përfundoi Arbnor Morina.

Ferizaj e fillon edicionin e ri me një test mjaft të vështirë pasi në udhëtim luan ndaj Gjilanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat