Tre alarme për sulm me raketë, lojtarët në bunker

Futboll

Tre alarme për sulm me raketë, lojtarët në bunker

Më: 24 gusht 2022 Në ora: 19:29
Tre alarme për sulm me raketë, lojtarët në bunker

Ashtu siç edhe pritej, kampionati i futbollit në Ukrainë do të hasë në shumë vështirësi duke qenë se bëhet fjalë për një vend i cili është në luftë. Problemet janë shfaqur që në javën e parë të tij teksa ndeshja e luajtur në Lviv mes Ruch Lviv dhe Metalist Kharkiv është ndërprerë plot tre herë për alarme në lidhje me një sulm ajror të mundshëm.

Lojtarët dhe i gjithë personali i angazhuar për ndeshjen kanë nxituar për t’u strehuar në bunkerë ndërsa siç bën të ditur shtypi ukrainas ndeshja zgjati për më shumë se katër orë. Ndërprerja e parë erdhi në minutën e 44-të të pjesës së parë dhe zgjati plot 40 minuta. Më pas lojtarët u rikthyen në fushë për të bërë nxehmje ndërsa pushimi mes pjesëve zgjati vetëm shtatë minuta dhe jo 15 si normalisht për shkak të kohës së humbur.

Gjithsesi, pjesa e dytë nuk zgjati shumë pasi vetëm gjashtë minuta nga starti i saj sërish alarmi për një sulm ajror ndëpreu ndeshjen. Këtë herë kohëzgjatja e ndërprerjes ishte plot 1 orë 11 minuta, teksa në vijim ndeshja zgjati deri në minutën e 77-të, kur një tjetër alarm e ndërpreu për herë të tretë sfidën.

Pas 33 minutash pauzë, ndeshja rifilloi për t’i shkuar deri në fund teksa ishin miqtë ata të cilët triumfuan me rezultatin 1-2 në një situatë tejet të pazakontë dhe të vështirë për të luajtur futboll. Kujtojmë se në Ukrainë janë transferuar këtë merkato edhe tre ish-lojtarët e Tiranës, Ardit Toli, Ennur Totre dhe Taulant Seferi që janë bërë pjesë e Vorskla Poltavës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat