Luhen dy ndeshjet e para të grupit G, Tirana e nis me një fitore

Futboll

Luhen dy ndeshjet e para të grupit G, Tirana e nis me një fitore

Më: 25 gusht 2022 Në ora: 11:42
Luhen dy ndeshjet e para të grupit G, Tirana e nis me një fitore

Janë luajtur këtë të mërkurë ndeshjet e parë të UEFA Futsal Champions League 2022/2023 të vlefshme për raundin para-eliminator të Grupit G. Në ora 17:00 është zhvilluar sfida e parë mes luksemburgasve të Differdange dhe irlandezo-veriorëve të Belfast United, një duel që u luajt në sallën e lojërave me dorë të Parkut Olimpik të Tiranës e që prodhoi gola dhe emocione. Ndeshja u fitua me rezultatin e thellë 13-0 nga kampionët e Luksemburgut, që ishin më superiorë dhe triumfuan me një goleadë.

Në sfidën e dytë të ditës të luajtur po në Parkun Olimpik, përballë u vunë qipriotët e Apole FC dhe kampionët e Shqipërisë, KF Tirana. Një ndeshje mjaft e bukur me Tiranën që kaloi e para në avantazh me anë të Pishtunit e që thelloi avantazhin me golat e Kacës, Alajt e Nishorit.

Qipriotët ngushtojnë disi diferencat me golin e Goes, ndërsa pjesa e parë u mbyll me fitoren 4-1 të Tiranës. Në pjesën e dytë bardheblutë ruajnë dominimin dhe shënojnë golin e pestë me Alajn, duke mbajtur ndeshjen nën kontroll pavarësisht se qipriotët realizojnë edhe golin e dytë po me Goes. Ndeshja u mbyll me suksesin 5-2 të Tiranës.

Sot do të zhvillohen edhe dy ndeshjet e tjera të grupit G, ku Apoel FC do të ketë përballë Differdange 03, që do të luhet në ora 17:00 ndërsa në ora 20:45 Tirana do të luajë ndaj ekipit të Irlandës së Veriut, Belfast United.

Dy ndeshjet e fundit të grupit do të luhen më 27 gusht. Sfida e parë që nis në ora 17:00 është Belfast United – Apoel FC, ndërsa në ora 20:45 do të nisë sfida tjetër mes bardhebluve të Tiranës kundër Differdange 03.

Nëse Tirana arrin të kalojë këtë fazë, duke u renditur në krye të grupit G, do të kalojë në raundin tjetër, ku do të jetë pjesë e grupit 8, me dy rivalë tashmë të identifikuar, Chrudim dhe Shkupi 1927, si edhe fituesi i grupit H në raundin para-eliminator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat