Shqiptari pas nënshkrimit me skuadrën e madhe skoceze: Ndjenjë e pabesueshme, jam i emocionuar! 

Futboll

Shqiptari pas nënshkrimit me skuadrën e madhe skoceze: Ndjenjë e pabesueshme, jam i emocionuar! 

Nga: Kemajl Goca Më: 25 gusht 2022 Në ora: 15:47
Sead Hakshabanoviç

Suedia, Anglia, Spanja, Rusia, sërish Suedia, më pas Skocia – futbollisti me prejardhje shqiptare dhe anëtar i kombëtares së Malit të Zi, Sead Hakshabanoviç, ka bërë një hap të madh në karrierën e tij.

Mesfushori ofensivë ka nënshkruar për skuadrën e madhe skoceze, Celtic-u dhe do të luajë në “Celtic Park-un” e famshëm deri në vitin 2027.

"Është një ndjenjë e mrekullueshme. Unë di vetëm gjëra të mira për Celtic-in. Jam i lumtur që jam këtu. Kur dëgjova se Celtic më donte, i thashë agjentit të bënte gjithçka që mundej sepse unë dua të luaj këtu. Është një klub i mrekullueshëm me lojtarë dhe tifozë të mirë, me një histori të mirë”, tha Hakshabanoviq për televizionin e klubit.

Nuk duhet humbur mundësia për të luajtur për ish-kampionin e Europës.

"Unë jam i mirë në lojën një për një, kam një goditje të fortë, jam i shpejtë. Do të bëj më të mirën për ekipin. Dua të bëj klubin, tifozët dhe veten time të lumtur", tha ai, transmeton mediumi malazez “Vijesti”. 

Celtic këtë sezon do të luajë në Champions League, ndërsa kundërshtarët do t'i zbulojë sot (18.00) në shortin e Nyonit.

"Jam i emocionuar për të luajtur në Champions League. Është kompeticioni më i madh i klubit në të cilin mund të luajë një futbollist. Ëndrra e çdo djali është të luajë në Champions League", tha Hakshabanoviç. 

Futbollisti është rritur në Suedi dhe është suedezi Henrik Larson ai që është legjenda e klubit skocez.

"Unë e di që Larson është një legjendë këtu. E njoh djalin e tij. Shpresoj që të mund të bëj gjëra të ngjashme që ai bëri në fanellën e Celtic-ut, por është shumë e vështirë. Unë do të bëj më të mirën," është optimist Hakshabanoviç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat