A e din Dan Petrescu se futbolli në Kosovë është i kategorizuar i 6-ti nga komisioni pranë KOK-ut!

Futboll

A e din Dan Petrescu se futbolli në Kosovë është i kategorizuar i 6-ti nga komisioni pranë KOK-ut!

Nga: Kemajl Goca Më: 9 shtator 2022 Në ora: 13:50
Ballkani

Vini re, vini re, vini re! A e dini se futbolli në Kosovë është në pozitën e gjashtë në kategorizim nga komisioni pranë Komitetit Olimpik të Kosovës! E shkëlqyer apo jo!

Futbolli i gjashti në kategorizim në kategorinë A, gati në kategorinë B! Nuk e meriton kategorinë B, kështu munden me menduar prapë ata që e bëjnë vlerësimin sepse nuk ka cilësi dhe masivitet futbolli! 

A e dini se futbolli është në fazën e grupeve të Conference League, me kampionin Ballkanin e Therandës, në një kategori me Arsenalin, Romën, Fiorentinën, West Ham-in etj! 

Gjithë Kontinenti i Vjetër po flet për Ballkanin dhe futbollin e Kosovës, ndërsa komisioni për vlerësim e ka lënë futbollin të gjashtin në kategorizim! 

Edhe ata që e kanë lënë të gjashtin futbollin në kategorizim, flitet e përflitet, se po shtyhen me bërryla për një biletë, për me pa lojën e futbollit! Po shtyheni për biletë, për një futboll që është i kategorizuar i 6-ti në Kosovë!        

A e dini se në ndeshjen Llapi - Buduçnosti i Podgoricës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ishin mbi 12 mijë shikues! 

Si është e mundur që futbolli të jetë i ranguar i gjashti në Kosovë, ndërsa po mahnit Evropën me lojëra, hiq më larg se mbrëmë edhe trajneri i skuadrës rumune, CFR Cluj, Dan Petrescu, e tha publikisht, se është vështirë të fitohet në “Fadil Vokrri”, se Ballkani ka cilësi dhe nuk u habit pse mbeten baras (1:1) por u gëzua që nuk humbën! 

A e din Dan Petrescu se futbolli në Kosovë është sport dytësor për disa “ekspertë”, ndërsa për popullatën është sporti më popullorë dhe jetojnë me këtë sport. 

A e din Dan Petrescu se futbolli në Kosovë është i kategorizuar i 6-ti nga Komisioni pranë KOK-ut! Fat që nuk e ka ditur Petrescu, se po ta dinte, nuk do ta thoshte këtë fjalë të madhe.

Fat që nuk e kanë ditur mediat rumune se futbolli në Kosovë është i renditur në vend të gjashtë në kategorizim, se skuadra Cluj nuk do ta kishte as guximin që të kthehej në vendlindje, do të kritikonin rëndë mediat rumune, madje do ta kërkonin edhe shkarkimin e trajnerit Dan Petrescu.

Fati i Dan Petresckut, që media rumune dhe opinionin rumun, nuk e dijnë se futbolli në Kosovës është i gjashti në kategorizim, se një Zot e di çfarë stuhie shkrimesh do të bënin ata! Fatmirësisht, futbolli nuk varet nga ata që e vlerësojnë dhe e rangojnë, por varet nga investimet, puna, cilësia dhe rezultatet dhe tani janë në Conference League! 

Kur bëhet kategorizimi i ri, futbolli e meriton të jetë në B dhe jo në A, ende nuk i kanë përmbushur kriteret për kategorinë A, kështu ka ende që mendojnë! Ballkani garon në Conference League, jo në garat e Gazibabës dhe as në gara me tre shtete! Për dikë, Gazibaba dhe gara me tre shtete, është më madhore se ku garojnë futbolli, basketbolli e hendbolli!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat