Skuadra shqiptare nuk ndalet, shkatërron edhe Skopjen

Futboll

Skuadra shqiptare nuk ndalet, shkatërron edhe Skopjen

Më: 11 shtator 2022 Në ora: 18:48
Struga Trim Lum

Skuadra shqiptare, Struga Trim Lum, nuk ka të ndalur, shkatërron me rezultat 3:0 edhe Skopjen, në takimin e javës së shtatë të Kampionatit të Maqedonisë së Veriut.

Struga nga shtatë ndeshje ka po aq fitore dhe kryeson bindshëm me 21 pikë në elitën e futbollit maqedonas. 

“Vazhdojmë pa gabime, vjen edhe fitorja e 7-të me radhë.

7 ndeshje, 7 fitore për skuadrën tonë të zemrës, që në këtë mënyrë vazhdon të gëzoj gjithë tifozët strugan. 

Sot në terren vendas mundëm Skopjen me rezultatin 3:0, edhe pse i njëjti mund të ishte edhe më i thellë në rast se arrinim të shfrytëzonim edhe disa raste tjera të krijuara nga ana e futbollistëve tanë.

Pjesa e parë u mbyll me vetëm një gol në rrjetën e mysafirëve, edhe atë falë Hristijan Maleskit, i cili përfitoi nga një devijim i portierit, Efremov.

Ilieski me një diagonale të gjatë gjeti para zonës Zija Merxhanin, i cili si një tren i shpejtë u fut brenda zonës kundërshtare, duke arritur edhe të godas, mirëpo goditjen e tij e ndali portieri kundërshtarë, por jo edhe të Maleskit që përfitoi nga rasti dhe nga afërsia shënoi për 1:0.

Pjesa e dytë doli të jetë edhe më efikase për skuadrën tonë, kjo falë edhe strategjisë së trajnerit Zaharievski, i cili vendosi që ekipi të kontrolloj lojën, ndërsa sulmet vinin pas aksioneve mirë të ndërtuara. 

Kështu ndodhi në minutën e 52-të, kur pas disa pasimeve të njëpasnjëshme, topi arriti deri te Valentin Koçoski në të majtë, i cili mjaft mirë harkoi para 5-metërshit të portierit Efremov, aty ku pa probleme Besart Ibraimi shënoi për 2:0. 

Në minutën e 67-të mysafirët pretenduan për një penalti, mirëpo arbitri kryesor tregoi vetëm goditje dënimi, ndërsa pas një reagimi të mirë të mbrojtjes tanë, vijoi një kundërsulm i shpejtë, me Shabanin, i cili pasoi për Sava Radiç, goditjen e të cilit me një intervenim bravuroz e ndali portieri kundërshtarë.

Megjithatë nuk vonoi shumë dhe në minutën e 71-të, Bunjamin Shabani shënoi një super gol me të djathtën e tij, duke zgjidhur në ato momente çështjen e fituesit.

Pas këtij goli, vetëm dy minuta më pas erdhi edhe goli i katërt, këtë herë me autorë Besart Ibraimin, mirëpo festën e tij e prishi arbitri anësor që tregoi pozitë jashtëloje, mirëpo jo për faj të vetë bomberit kërçovar, por të Abdylhadi Jahja, i cili sipas arbitrëve kishte penguar portierin kundërshtarë për të intervenuar. 

Besart Ibraimi golin e dytë personal pati mundësinë ta realizojë edhe në minutën e 85-të, mirëpo goditjen e tij të fuqishme nga brendia e zonës, Efremov e devijoi në rivënie nga këndi. 

Portieri mysafir reagoi mjaft mirë edhe në minutën e 87-të, pas një super aksioni të treshes, Shabani-Ibraimi-Jahja, me këtë të fundit që doli të jetë i pafat, pasi nga afërsia goditi vetëm shtyllën. 

Në fund fitore me rezultat 3:0 për F.C. Struga TRIM & LUM, që vazhdon të jetë e pagabueshme në sezonin 2022/23, duke regjistruar në këtë mënyrë edhe fitoren e 7-të nga po aq ndeshje të zhvilluara. 

21 pikë në 7 ndeshje për F.C. Struga, që lë pas në këtë mënyrë skuadrat si Sileksi (14), Shkëndija (11) dhe FC Shkupi (10)”, shkruan në faqen e FC Struga.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat