Dardanët po përgatiten me përkushtim për ndeshjen me Holandën

Futboll

Dardanët po përgatiten me përkushtim për ndeshjen me Holandën

Më: 14 shtator 2022 Në ora: 21:49
Dardanët po përgatiten me përkushtim për ndeshjen me Holandën

Kombëtarja e Kosovës në futsall është grumbulluar tash e disa ditë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Holandës, që zhvillohet, të dielën, më 18 shtator, në orën 19:00, në Roterdam.

Kjo do të jetë ndeshja e parë e Dardanëve të futsallit në kuadër të Grupit 11 në “Main Round” për kualifikimet Kupës së Botës 2024. Përveç Holandës, në grup me Kosovën është edhe Ukraina, kurse ndeshjet zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. Në fund, dy ekipet e para në renditje kalojnë tutje.

Ekipi i drejtuar nga Arben Simitçiu është duke i zhvilluar stërvitjet në sallën “1 Tetori” në kryeqytet, ku po punohet me përkushtim për t’u përgatitur për një paraqitje sa më të mirë kundër ‘Tulipanëve’. I kënaqur me ecurinë e deritashme të përgatitjeve është shprehur edhe përzgjedhësi Simtçiu, teksa ka shprehur shpresën për rezultat pozitive, ndonëse e ka pranuar se Holanda është favorite.

“Stërvitjet kanë shkuar mirë, besoj se do të shkojnë kështu edhe stërvitjet tjerat sepse na presin edhe disa ditë ushtrime qoftë këtu, qoftë në Holandë.

Këtë herë kemi pasur më shumë kohë për grumbullim dhe e falënderoj edhe kryetarin e edhe Federatën, sepse pauza ka qenë e gjatë pas përfundimit të ligës deri tash dha na është nevojitur kjo kohë për ta kapur formën”, ka thënë Simitçiu. Ai ka thënë se 95 përqind e ekipit është ikompletuar, teksa i vetmi problem është lëndimi i Endrit Ajdinit.

Sa i përket pritshmërive për këto kualifikime, ai, ka theksuar se synimi është kualifikimi në fazën tjetër të garave. “Kam ardhur këtu për pritje të mëdha. E kam edhe parimin tim që në çdo ndeshje synoj fitoren. Kështu do të jetë edhe kësaj radhe në Holandë. E njohim kundërshtarin shumë mirë dhe duhet ta pranojmë se është favorit, por do të tentojmë të fitojmë, sepse objektivi ynë është ta kalojmë grupin”, ka shtuar Simitçiu.

E i kënaqur me punën e bërë gjatë këtyre ditëve është shprehur edhe lojtari i spikatur, Jeton Rukovci. “Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë si gjithmonë. Me Holandën i kemi bërë dy ndeshje miqësore dhe e dimë forcën e saj. Po shpresojmë se kësaj radhe është më lehtë, sepse luajmë ndeshje teke për dallim nga hera e kaluar kur kemi luajtur dy ndeshje brenda dy ditëve. Ata e kanë përparësinë e terrenit vendës dhe eksperiencën, por po shpresojmë se do t’ia dalim të marrim rezultat pozitiv“, ka theksuar Rukovci.

Kosova dhe Holanda i kanë luajtur dy miqësore në prill të vitit 2021, ku dueli i parë ishte mbyllur baras, derisa në përballjen e dytë kishin fituar holandezët.

Pas ndeshjes me Holandën, Kosova do të luajë sërish si mysafire kundër Ukrainës, më 7 tetor, derisa më pas më 8 nëntor është mikpritëse e Ukrainës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat