“Gazzetta” i qan hallin Kristjan Asllanit

Futboll

“Gazzetta” i qan hallin Kristjan Asllanit

Më: 16 shtator 2022 Në ora: 14:54
“Gazzetta” i qan hallin Kristjan Asllanit

“Gazetta dello Sport” i ka kushtuar një shkrim të gjatë situatës së Kristjan Asllanit tek Interi, ku nuk po gjen hapësirë. Deri tani, shqiptari ka luajtur vetëm 29 minuta: “Nëse Simone Inzaghi nuk do t’i kishte dhënë gjashtë minuta të Ligës së Kampionëve në shtëpinë e modestëve të Viktoria Plzen, sot Kristjan Asllani do të kishte një rekord negativ tallës.

Ai do të ishte lojtari i Interit me më pak minuta të luajtura se të gjithë bashkëlojtarët. Deri më tani trajneri zikaltër nuk i ka dhënë as gjysmë ore të plotë. Duke mbledhur të gjitha ndeshjet, shqiptari ka arritur në 29 minuta, pak për atë që në verë dukej tashmë në pistën e nisjes drejt lavdisë.

Në të vërtetë, këto pak “thërrime” i shërbyen Asllanit për të kaluar Raoul Bellanova, i vetmi që deri tani ka luajtur më pak se ai. Anësori, i cili hyri në ndeshjen kundër Torinos, ka grumbulluar vetëm 24 minuta.

Dy lojtarët e datëlindjes 2000 janë të vetmit aktualisht jashtë aktivizimit gjysmë-orësh të aplikuar nga Simone Inzaghi, i cili kështu dëshiron të stimulojë konkurrencën e brendshme për të përmirësuar rezultatet e ekipit. Por më shumë se rasti i ish-lojtarit të Cagliarit, ajo që bën zhurmë është mini-hapësira për 20-vjeçarin me kombësi shqiptare, por edhe me zemër toskane.

Teksa fansat në rrjetet sociale pyesin me këmbëngulje në rritje se çfarë ka ndodhur me të talentuarin Asllani, Kristjan duket shumë më pak i shqetësuar: “Do të vijë koha ime…”, – përsëriti me dinakëri ditëve të fundit. Asllani, në fakt, ka mësuar të menaxhojë emocionet që në fëmijëri.

Tani po e kanalizon në drejtimin e duhur dëshirën për të kafshuar topin, normale për një 20-vjeçar që mbërriti tek Interi mes mijëra proklamimeve. Dhe ky qëndrim, i shfaqur mbi të gjitha në javët e gjata në stol, u pëlqeu të gjithëve, nga Inzaghi te drejtuesit, Në çdo seancë stërvitore, Asllani vazhdon të shtyjë fort, ndonjëherë edhe shumë.

Me pak fjalë, besimi i lojtarit të talentuar nuk ra, në mos ishte fillimi i turbullt i sezonit që pengoi shpërthimin e tij përfundimtar. Besimi i përhapur tek Interi është se, nëse skuadra do të kishte luajtur më mirë dhe nuk do të kishte parë fantazmat me Lazion, Milanin dhe Bayernin, koha e lojës së Asllanit do të ishte më e lartë.

Roli i Brozovic, ai i busullës së mesfushës, është deri tani më delikati i skuadrës. Megjithatë, Inzaghi vazhdon ta shohë Kristjan pikërisht aty, në atë pozicion strategjik, si trashëgimtar të kroatit. Por, në të njëjtën kohë, ai e njeh shkathtësinë e një djali që tashmë ka shkelur të gjitha “gjilpërat” e mesfushës. Do të duhet kohë, por ai mund të bëhet edhe sfidant i titullarëve.

Ndërkohë, megjithatë, është prioritet ta rikthejmë shqiptarin në dritë dhe ta nxjerrim nga hija në të cilën ka rrëshqitur. Në 8 ndeshjet e ardhshme për zikaltrit, Asllani planifikon të mbledhë diçka më shumë se 29 minutat e mjerueshme të deritanishme. Përndryshe, disa dyshime do të fillonin vërtet të “gjarpëroheshin”...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat