Shfryn Canka

Futboll

Shfryn Canka

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 20:21
Shfryn Canka

Komisioni i Disiplinës dhe i Etikës në FSHF dënoi kapitenin e Lushnjës, Mikel Canka, me dy javë pezullim nga aktivitetet. Sulmuesi 35-vjeçar nuk do të luajë nesër në orën 12:30 ndaj Flamurtarin në stadiumin “Roza Haxhiu”, për llogari të javës së pestë të kampionatit, si dhe të mërkurën e ardhshme në sfidën e kthimit të Kupës me Tërbunin në Pukë.

Dje, në një prononcim për “Panorama Sport”, Canka komentoi vendimin e Disiplinës, duke mohuar kategorikisht të ketë ofenduar zyrtarët e ndeshjes. Në derbin me Apoloninë, sulmuesi u ndëshkua edhe me karton të kuq, i cili ishte i pari në karrierën e deritanishme.

“E vërteta është që jam dënuar dy ndeshje dhe kjo ka ndodhur për një gabim. Nuk kam protestuar, siç thuhet në vendimin e Komisionit të Disiplinës dhe të Etikës. Nuk kam qenë ndonjëherë kundër vendimeve të gjyqtarëve. Edhe ata njerëz janë dhe mund të gabojnë. Nuk është e vërtetë që kam përdorur gjeste ofenduese. Aty në fushë ka nerva loje, por me kundërshtarin dhe jo me gjyqtarët.

Në të gjithë karrierën time ky është kartoni im i parë i kuq. Nuk jam tipi që merret me kundërshtarët ose gjyqtarët. Jam shumë korrekt në fushën e lojës. Dhe këtë karton të kuq do ta mbaj mend për gjithë jetën time (qesh), si një gjë të veçantë në karrierë. Kështu që, duhet t’i respektoj të gjithë vendimet që marrin gjyqtarët. Nuk duhet të merremi më fjalë, por me lojën e luajtur në fushë”, deklaroi fillimisht kapiteni Canka.

Sulmuesi 35-vjeçar do të jetë në tribunën e “Roza Haxhiut” për të mbështetur ekipin. “Ndeshja me Flamurtarin është një provë e fortë. Ata i kanë kaluar ngërçet e fillimit të kampionatit dhe kanë vazhduar me fitore. Është radha jonë që të tregojmë se do të hyjmë në fushë për fitore.

Më vjen keq që nuk jem pjesë e grupit për të ndihmuar shokët e mi. Por gjithsesi, do të jem prezent për t’i mbështetur ata nga tribuna”, përfundoi Canka. Ndërkohë, për ndeshjen me vlonjatët trajneri Klodian Duro do të ketë edhe një mungesë tjetër përveç Cankës, pikërisht lojtarin e krahut të majtë, Ledion Ruço, i cili u ndëshkua me karton të kuq në derbin e javës së kaluar ndaj Apolonisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat