Tirana rikthehet te suksesi

Futboll

Tirana rikthehet te suksesi

Më: 16 tetor 2022 Në ora: 17:46
Tirana rikthehet te suksesi

Pas barazimit dramatik 3-3 në shtëpi ndaj Laçit, Tirana është rikthyer te suksesi në transfertë me rezultatin 0-1 ndaj Bylisit.

Bardheblutë vuajtën në stadiumin Adush Muça, megjithatë ia dolën të merrnin pikët e plota falë një goli të Florent Hasanit në fraksionin e dytë të lojës. Sulmuesi anësor shfrytëzoi një asist të Ismajlgecit dhe me të majtën e dërgoi topin në trekëndëshin e ballshiotëve.

Vendasit provuan të reagonin, mirëpo kryeqytetasit rezistuan dhe morën një trepikësh shumë të rëndësishëm për vazhdimësinë e kampionatit. Falë këtij triumfi, Tirana rikthehet në krye të klasifimit edhe pse me pikë të barabarta me Partizanin (15) teksa të kuqtë kanë një ndeshje më pak. Nga ana tjetër, Bylis mbetet në vendin e katërt me 11 pikë.

Ndërkohë, ndeshja tjetër e javës së tetë, ajo mes Laçit dhe Vllaznisë përfundoi në barazim 1-1. Ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh në minutën e 53-të me anë të Akinyemi, megjithatë shkodranët rikthyen baraspeshën në minutën e 67-të falë golit të Herald Markut.

Kështu, u mbyll në “paqe” sfida në Laç, teksa skuadrat ndanë nga një pikë që në fakt nuk kënaq asnjërën prej dy ekipeve me kurbinasit që mbeten në vendin e fundit të renditjes me pesë pikë, ndërsa nga ana tjetër, shkodranët shkojnë në tre ndeshje pa fitore dhe mbeten në vendin e pestë me 11 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat