Shfajësohet në gjyq

Futboll

Shfajësohet në gjyq

Më: 19 tetor 2022 Në ora: 13:54
Shfajësohet në gjyq

Sulmuesi i PSG-së Nejmar është shfajësuar gjatë procesit gjyqësor në Barcelonë në lidhje me akuzat për mashtrim dhe falsifikim të shifrave të transferimit të tij në “Camp Nou” nga Santosi në vitin 2013. Prokurorët kërkojnë një dënim me 2 vite burg dhe një gjobë prej 10 milionë eurosh për 30- vjeçarin.

“Babai im ka qenë gjithnjë përgjegjësi i negociatave kontraktuale. Ëndrra ime ka qenë gjithnjë që të luaja për Barcelonën. Mund të shkoja te Reali, por kam dashur gjithnjë Barcelonën”, u shpreh sulmuesi brazilian pasi u pyet nga prokurorët.

Gjithçka nisi nga denoncimi për korrupsion dhe mashtrim nga ana e fondit brazilian “DIS”, që në atë kohë kishte në pronësi 40% të kartonit të sulmuesit dhe akuzon se ka përfituar një shifër më të ulët nga ajo që i takonte.

Në proces janë edhe dy ish-presidentët e Barcelonës, Sandro Rosell (i cili rrezikon 5 vite burg) dhe Josep Maria Bartomeu. “O Ney” tha gjithashtu se ai nuk mori pjesë ne negociatat që sollën arritjen e marrëveshjes në vitin 2011, e cila do të hynte në fuqi dy vite më vonë.

Futbollisti pranoi të merrej në pyetje në seancën e djeshme vetëm nga prokurori dhe avokati i tij mbrojtës dhe jo nga avokatët e kompanisë “DIS”. Ai iu përgjigj pyetjeve në më pak se 15 minuta dhe foli kryesisht në portugalisht, duke u ndihmuar nga një përkthyes.

Ai u pyet nëse kishte marrë pjesë në negociatat për kontratën që firmosi me Barcelonën në nëntor 2011, ndërsa ishte ende pjesë e klubit të fëmijërisë, Santosit, dhe fillimisht u përgjigj: “Nuk më kujtohet”, përpara se t’i përgjigjen pyetjes së dytë nga prokurori i shtetit në lidhje me negociatat dhe kontratat: “Unë nuk mora pjesë. Unë firmos atë që më thotë babai im që është menaxheri”, u shpreh Nejmar.

Nejmar dëshmoi pasi presidenti i Realit, Florentino Perez, u thërrit gjithashtu si dëshmitar. Perez tha në gjykatë se Reali kishte ofruar 45 milionë për të firmosur me brazilianin në vitin 2011.

“Unë nuk e njoh Nejmarin. Nuk kam folur kurrë me të personalisht. Ne ishim të interesuar për të firmosur me të rreth 10 vite më parë. Lojtarët shkojnë atje ku dëshirojnë. Nejmar donte të shkonte te Barcelona dhe prandaj shkoi atje”, tha Perez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat