Real Madrid vijon të ruajë pathyeshmërinë këtë sezon, teksa mbrëmjen e sotme ka marrë një tjetër fitore, këtë herë në transfertën ndaj modestëve të Elches, duke u shkëputur kështu në krye me 28 pikë, 6 më tepër se Barcelona, që do të luajë nesër ndeshjen e saj.
Pas suksesit në “El Clasico”, madrilenët bënë një tjetër ndeshje perfekte në transfertën ndaj Elches, ku shënuan plot 6 gola, por vetëm tre prej tyre ishin të vlefshëm, pasi tre të tjerë u anuluan për pozicion jashtë loje.
Që në minutën e 6’ ishte Karim Benzema që provoi të festojë Topin e Artë me gol, por u ndal nga flamuri i anësorit, ndonëse dërgoi topin në rrjetë, ndërsa sfida u zhbllokua në të 11-ën dhe këtë herë autor i golit ishte Federico Valverde, që u konfirmua sërish si njeriu i momentit.
Në të 26-ën dhe të 61-tën Realit iu anuluan edhe dy gola të tjerë për pozicion jashtë loje, fillimisht me Alabën e më pas me Benzema, por francezi festoi lirisht në të 75-ën, kur mori një pasim nga Rodrygo dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke dyfishuar shifrat.
Golin që vulosi fatin e takimit e shënoi Marcos Asensio në të 89-ën, sërish me asist të Rodrygos, ndërsa Reali mori kështu një tjetër tre pikësh dhe tani shpreson në një tjetër hap fals të Barcelonës, për të nisur arratinë.