Juventus vendos 3 rekorde historike negative në një natë, trajneri Alegri nën shënjestër

Futboll

Juventus vendos 3 rekorde historike negative në një natë, trajneri Alegri nën shënjestër

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 15:51
Allegri

Juventusi i jep lamtumirën Ligës së Kampioneve për këtë sezon që në fazën e grupeve, diçka që nuk ndodhte prej 8 vitesh, por më e keqja është se kjo disfatë vjen e mbushur me numra të frikshëm që konfirmojnë krizën dhe mediokritetin e asaj çfarë “Zonja e Vjetër” ka ofruar.

Kritikat dhe fajet më të mëdha bien mbi një person, Masimiliano Alegrin. Trajneri bardhezi është ai që pas rekordeve pozitive të aventurës së parë 5-vjeçare (2014-2019), rikthimi i tij është i mbushur me numra negativë, shifra që duket se po nisin të mbysin edhe vetë karizmatikun Alegri.

E para që bie në sy është se atij do t’i mbesë për shumë kohë ndoshta njolla e të qenit trajneri që ka arritur minimumin e mundshëm të historisë së klubit bardhezi në fazën e grupeve, duke qenë se një fitore (vetëm tri pikë), pas 5 ndeshjeve të para është rezultati më i dobët që dikush kishte bërë dhe madje mund të thellohet edhe më tej, nëse humb në ndeshjen e fundit kundër PSG-së, që do të shkojë në Torino për të kërkuar vendin e parë në grup.

Një tjetër rekord negativ dhe historik është ai i golave të pësuar në 5 ndeshje: 11, ndërkohë që rezultati më i dobët historik i Juves në grupet e Champions-it ka qenë 10 gola të pësuar. Por nuk mbaron këtu…

Tre gola në pjesën e parë të një ndeshjeje në grupet e Champions-it, gjithashtu nuk ishin pësuar kurrë nga “Zonja e Vjetër”. Shkurt, një çorbë nën emrin e Masimiliano Alegrit, i cili shpreson me padurim që të rikuperojë sa më shpejt “ajkën” e formacionit të tij: Federiko Kiezën, Pol Pogbanë dhe Angel di Marian.

Fundja, me këta të tre mund të riformatojë Juventusin dhe ndoshta mund të tregojë se idetë e tij funksionojnë ende për të arritur gjëra të rëndësishme në Torino, nëse ka të gjithë armët dhe cilësitë e duhura në dispozicion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat