Potter i ndryshoi rolin

Futboll

Potter i ndryshoi rolin

Më: 1 nëntor 2022 Në ora: 14:47
Potter i ndryshoi rolin

Graham Potter vendosi të eksperimentojë në ndeshjet e fundit të kampionatit me pozicionin në fushë të Raheem Sterling. Lojtari i kombëtares britanike u pozicionua në krahun e majtë të pesëshes së mesfushës duke u detyruar të luante disa metra pas nga pozicioni i tij i preferuar.

Një zgjedhje e cila nuk e ka gëzuar Sterling, që së fundmi thekson edhe njëherë pozicionin e tij ideal edhe pse kërkon të shmangë polemikat duke shtuar se i pranon vendimet e trajnerit Potter.

“Kur transferohesh në një skuadër të re, atëherë ka detyra të reja që shtohen. Është një mënyrë tjetër e të punuarit, kisha kohë që nuk luaja në një mesfushë me pesë.

Por, ishte një kërkesë e trajnerit dhe unë duhet ta zbatoja me patjetër. Kur skuadra është në zotërim të topit, sigurisht që avancoj disa metra në fushë dhe hapem në krah, por kur nuk kemi topin në zotërim, ekipi ka nevojë të mbrohet dhe të gjithë duhet të kontribuojmë.

Gjithsesi, unë mbetem një lojtar që më pëlqen të luaj pranë zonës kundërshtare, aty shfaq versionin tim më të mirë. Jam një sulmues krahu, por nuk duhet të harrojmë që trajneri u afrua pas fillimit të kampionatit dhe ai ende po mundohet të kuptojë pozicionet ideale të gjithsecilit. Me kalimin e kohës skuadra do të përmirësohet”, u shpreh Sterling.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat