Pique bleu 20 milionë euro tokë për të ndërtuar hotel luksoz

Futboll

Pique bleu 20 milionë euro tokë për të ndërtuar hotel luksoz

Më: 2 nëntor 2022 Në ora: 13:24
Pique

Pas një karriere të shkëlqyer, në të cilën ka fituar gjithçka me Barcelonën dhe Spanjën, duke u afishuar si një nga mbrojtësit më të mirë në botë, tashmë momenti i rënies së paepur duket se ka filluar për Gerard Pique. Periudha e tij e errët, megjithatë, nuk është e natyrshme vetëm në fushën e futbollit (ku deri më tani, në ato pak kohë në të cilat është aktivizuar, shpesh ka shfaqur vështirësi të mëdha, siç ndodhi në ndeshjen e Champions-it kundër Interit), por ka të bëjë edhe me jetën private.

Pas përfshirjes së tij në skandalin e Superkupës së Spanjës dhe ndarjes nga këngëtarja Shakira për shkak të tradhtive të supozuara në seri të futbollistit katalanas, gjithçka do të rëndonte edhe mbi problemet ekonomike të atij që për një kohë të gjatë ishte mbrojtësi më i paguar në botë. Një tjetër lajm i keq vjen për futbollistin e lindur më 1985, që këtë herë ka të bëjë me aktivitetet e tij sipërmarrëse ekstra-futbollistike.

Në fakt, në vitin 2015, mbrojtësi i Barcelonës bleu tokë në Malaga për 20 milionë euro, për të ndërtuar një hotel luksoz në “Costa del Sol”, plazhin e famshëm të Spanjës. Pasi prishi kinemanë që ishte më parë aty dhe pasi kishte përfunduar fazën e projektimit të objektit akomodues, Pique kërkoi leje ndërtimi për të ndërtuar hotelin e tij luksoz me pamje nga deti, por u përball me një surprizë të keqe.

Pas hetimeve, përgjigja ishte shokuese: “Për momentin nuk është e mundur të ndërtohet, sepse një nga nekropolet më të mëdha në të gjithë Spanjën është varrosur nën atë tokë”. Arkeologët duke gërmuar pronën e futbollistit spanjoll kanë gjetur në fakt rreth 250 varre që datojnë në shekullin e 15-të (origjina e tyre e saktë është ende duke u përcaktuar) dhe kjo ka shtyrë fillimin e punës për një datë të mëvonshme.

“Ne kemi gërmuar rreth 250 varre, pjesa dërrmuese e të cilave janë bosh.

Është një nga nekropolet më të mëdha në vend”, – tha arkeologu Alberto Cumpian, që po punon për zbulimin historik. 

Megjithatë, i njëjti arkeolog, ndërsa konfirmon se bëhet fjalë për një zbulim të jashtëzakonshëm, ka lënë një dritë të hapur për mundësinë që punimet e ndërtimit të hotelit luksoz në “Costa del Sol”, në të cilin Gerard Pique ka investuar tashmë një kapital shumë të rëndësishëm, mund të vonohen disa muaj.

“Ndoshta varret nuk janë përdorur kurrë dhe për këtë arsye nuk janë aq të çmuara për t’u ruajtur”, – shtoi Compian, duke shpjeguar se kjo mund të vonojë zbatimin e projektit të lojtarit spanjoll vetëm për një kohë të shkurtër. Sipas arkeologut, nëse nuk do të kishte gjetje të tjera me rëndësi historike, Pique mund të merrte dritën jeshile për të vazhduar që në janar 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat