Vieri zbulon makthin e Morattit

Futboll

Vieri zbulon makthin e Morattit

Më: 5 nëntor 2022 Në ora: 18:03
Vieri zbulon makthin e Morattit

Në “Bobo TV”, ish-sulmuesi i Interit, Christian Vieri kujtoi kohën e tij dhe sfidat kundër Juventusit: “Një nga ndeshjet më të përzemërta. Moratti ishte gjithmonë në Pinetina, nëse zakonisht pinte 20 cigare në ditë, në javën para ndeshjes pinte 100 cigare. Në ato ditë ishin Buffon, Thuram, Cannavaro, Inzaghi, Del Piero, Trezeguet”.

Ky rrëfim i sinqertë i njërit nga sulmuesit më të mirë italianë tregon më së miri se si përjetohej “Derbi d’Italia” në të shkuarën, diçka që nuk ka ndryshuar as sot, pavarësisht qasjes në klasifikim të dy skuadrave. Në fakt dihet rivaliteti deri në “armiqësi” mes dy klubeve, sidomos kulmuar pas “Calciopoli”, ku titullin e fituar nag bardhezinjtë në fushë e mori Interi, në bazë të hetimeve dhe vendimit të gjykatave, të cilat dolën në konkluzionin për trukime të kryera nag Lucciano Moggi dhe ish-drejtues të tjerë të kohës te “Zonja e Vjetër”.

Vetë Massimo Moratti iu kthye këtij momenti para pak ditësh, duke i paraprirë sfidës së nesërme në “Allianz Stadium”: “Serie A u manipulua dhe ne ishim viktimat. Juve duhej të fitonte. Nëse nuk fitonte Juventusi, radha ishte e Milanit. Turp, sepse forma më e madhe e pandershmërisë është të mashtrosh ndjenjat e njerëzve.

Më keq mes Milanit apo Juves? Pa dyshim, Juve. E di që Juventusi është i zemëruar dhe kjo më shtyn ta pretendoj me bindje më të madhe titullin numër 14-të të Interit. Ai titull ishte dëmshpërblimi minimal për vjedhjet që pësuam. Do ta meritonim shumë më tepër”.

Përgjigja e Luciano Moggit për Massimo Moratti nuk vonoi, pas fjalëve të ish-presidentit të Interit për skandalin “Calciopoli”. Ish-drejtori i Juventusit, në profilin e tij në Facebook shpërndau një imazh të një vendimi të vitit 2018, shoqëruar me një mbishkrim thumbues, në të cilin i ndjeri Giacinto Facchetti, lavdia dhe legjenda e klubit zikaltër, vihet në pikëpyetje:

“I dashur Moratti, në Halloween të vdekurit mund të flasin përsëri përmes përgjimeve… Giacinto Facchetti loboi me gjyqtarët… Aktgjykimi 2166/18 i Bordit të Drejtorëve në Milano”. Buja e ngritur nga kopja kaustike e “Lucianone” ishte e menjëhershme. “Tregoji atij se kush janë me të vërtetë më të ndyrët në futbollin italian!

Skuadra bardhezi nuk është shënjestruar kurrë, edhe kur Moggi bëri ato për të cilat është dënuar”, – shkruan Roberto. “Nga vij unë, thuhet se më i pastërti ka kruarje, ndaj secili duhet të shikojë shtëpinë e tij”, – vëren Giancarlo. Një tjetër ndjekës, Gregorio, distancohet: “Këto janë lajme të këqija nga e kaluara. Juventinëve iu vjen shumë keq që dëgjojnë gjëra të këqija për Facchettin, sepse ai ishte një simbol i futbollit italian”.

Giovanni Cobolli Gigli, ish-presidenti i Juventus-it, u përgjigj gjithashtu: “Kam lexuar një intervistë të fundit të Moratti. Për çdo gjë u fol, por mungonte një pyetje: Pse më 2006 Inter nuk u shfaq në gjyqin e “Calciopolit”, ndërsa 4 apo 5 vite më vonë doli dosja e zikaltërve, për të cilën prokurori Palazzi foli për një shkelje të rëndë sportive.

Nëse të gjithë e kanë harruar, më vjen keq, madje edhe për këtë çështje: nëse Interi do të kishte qenë në gjyq sportiv me Juventusin dhe do të ishte akuzuar, siç ndodhi vetëm vite më vonë, për ‘vepër të rëndë sportive’, do të kishte qenë një histori krejt tjetër. Dikush e fshehu dosjen, dikush i fuqishëm, sepse për të fshehur një gjë të tillë nuk është kollaj… Por nuk e kuptova, megjithatë, pse pas 5 vitesh e bënë të rishfaqet.

Ndoshta për t’i dhënë një shuplakë të mëtejshme morale Juventusit, si për të thënë: Kur doja të fshihja diçka, e bëra. Kur gjithçka kishte kaluar në parashkrim tashmë, ja ku është. Titujt nuk duhej t’i jepeshin askujt: të paktën fajtorët do të ishin dy, përkundrazi në ‘Calciopoli’ kishte vetëm një mëkatar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat