“Stadiumi 974” në Katar, arena e parë e futbollit e transportueshme në botë

Futboll

“Stadiumi 974” në Katar, arena e parë e futbollit e transportueshme në botë

Më: 9 nëntor 2022 Në ora: 14:30
“Stadiumi 974” në Katar, arena e parë e futbollit e transportueshme në botë

Më 20 nëntor do të ngrejë siparin edicioni i 22-të i Kupës së Botës, kësaj here i spostuar në Katar. Pra, do të ndjekim Botërorin e parë që mbahet në vjeshtë-dimër, me gjithë të tjerët të zhvilluar gjatë verës, në periudhat qershor-korrik, pas mbylljes së sezoneve futbollistike kombëtare.

“Katar 2022” ndërfutet mes sezonit të klubeve, çka pëbën një problem më vete. Për dërgimin e këtij kompeticioni në këtë vend të Gjirit Persik dje kërkoi falje ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, duke e konsideruar zgjedhje të gabuar. Megjithatë, tashmë mbetet të shihet si do të jetë ecuria organizative e vendit organizator, që e ka ndërtuar infrastruktutore nga fillimi.

Mes stadiumeve të rinj spikat “974” në Katar, për shkakun se është arena e parë e futbollit e transportueshme në botë. Ai është ndërtuar nga kontejnerë transporti të ripërdorur dhe mund të çmontohet plotësisht, të transportohet në një vend tjetër dhe të bashkohet përsëri si Lego”. Media shtetërore gjermane “Deutche Welle” hedh më shumë dritë mbi këtë vepër të admirueshme arkitekturore dhe miqësore për klimën:

“Stadiumi 974 në Katar? Më 2022, në këtë shtet të vogël në shkretëtirë do të zhvillohet kampionati botëror i futbollit. Prej vitesh aty ndërtohen stadiume të reja për këtë mega event. Stadiume, në kantierët e të cilëve punojnë në kushte katastrofike punëtorë kryesisht nga Nepali, Pakistani apo Bangladeshi, dhe që pas kampionatit mund të mos kenë më funksion.

Por shteti i Gjirit Persik, i kritikuar fort për shkak të kushteve të punës dhe vdekjeve të shumta në kantieret e stadiumeve, dëshiron të tregojë se mund të bëjë edhe ndryshe. Pra, prezanton një stadium, i cili mund të çmontohet tërësisht pas turneut dhe përbëhet nga materiale të ricikluara e sërish të përdorshme.

“Stadiumi 974”, i emërtuar sipas kodit telefonik ndërkombëtar të Katarit dhe numrit të anijeve, që transportuan një pjesë të madhe të materialit për ndërtimin e stadiumit, do të çmontohet pas Kampionatit Botëror në Katar dhe do të rindërtohet diku tjetër. Kjo është ideja e Katarit, i cili e reklamon stadiumin si “inovacion” në aspektin e të punuarit në përputhje me klimën dhe ambientin.

Ftohja e stadiumeve kërkon shumë energji, prandaj turneu është shtyrë pesë muaj për të shmangur vapën përvëluese të verës. Megjithatë, pritet që Katari në nëntor dhe dhjetor të vazhdojë përdorimin e ajrit të kondicionuar nga lëndët djegëse fosile në stadiumet e hapura, si dhe në qendra tregtare, tregje dhe përgjatë trotuareve me kalimtarë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat