​Ronaldo: U ndjeva i tradhtuar nga United, s’kam respekt për Ten Hag

Futboll

​Ronaldo: U ndjeva i tradhtuar nga United, s’kam respekt për Ten Hag

Më: 14 nëntor 2022 Në ora: 00:04
Ronaldo

Cristiano Ronaldo thyen heshtjen. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ka folur për situatën aktuale që po kalon me Manchester United duke thënë fjalë të rënda për “djajtë” dhe njerëzit që janë në krye.

Intervista do të publikohet gjatë javës së ardhme, por copëza të saj janë publikuar dhe kanë tronditur opinionin futbolldashës.

Qëndrimi në skuadër për një tjetër sezon ishte surprizë. Të gjithë mendonin se Ronaldo do të largohej nga United gjatë verës. Ronaldo e pranoi që ishin përpjekur ta detyronin ta largonin nga skuadra dhe kjo e kishte bërë të ndihej i tradhtuar.

“Manchester United u përpoq të më detyronte të largohesha. Jo vetëm trajneri, por edhe disa të tjerë që janë përreth klubit. U ndjeva i tradhtuar. Ndjej se disa njerëz nuk më donin në Manchester United, jo vetëm këtë vit por edhe sezonin e kaluar”, tha ai përballë gazetarit Piers Morgan.

Marrëdhënia e tij me trajnerin Eric ten Hag ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes dhe Ronaldo e thotë troç që nuk ka asnjë respekt holandezin.

“Nuk kam respekt për Erik ten Hag, sepse ai nuk tregon respekt për mua. Nëse nuk keni respekt për mua, unë nuk do të kem kurrë për ju”, vijoi Ronaldo.

Një tjetër trajner u raportua se kishte qenë i pakënaqur me Ronaldon. Ralf Rangnick drejtoi United për një periudhë të shkurtër, por Cristiano nuk kursen fjalët e rënda as për të, të cilin e vlerëson se nuk ishte as trajner.

“Nëse nuk jeni as trajner, si do të drejtoni Manchester Utd? Nuk kisha dëgjuar asnjëherë për të”, tha Ronaldo.

Portugezi tha se asgjë nuk ka ndryshuar te Manchester United që pas largimit të Alex Ferguson. Sipas tij, në United është ndalur koha, duke kritikuar për mungesë investimesh në teknologji dhe pajisje që stërviten lojtarët e deri te kuzhina dhe mënyra si ushqehen lojtarët. Ai tha se ishte Alex Ferguson që ia pamundësoi atij një transferim të rivalët e Manchester City dhe Pep Guardiola.

"Asgjë nuk ka ndryshuar këtu (Man Utd) që nga largimi i Sir Alex. Kur vendosa të kthehem në Manchester United, ndoqa zemrën time. Sir Alex Ferguson më tha: ‘Është e pamundur për ty të shkosh në Manchester City”, vijoi Ronaldo.

Intervista ka tërhequr vëmendje, ndërsa mbetet për t’u parë si do të jetë reagimi i klubit. E plotë intervista është paralajmëruar se do të transmetohet në dy ditë, të mërkurën dhe të enjten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat