Buffon: Pjesëmarrjen në Kupën e Botës nuk do ta kisha këmbyer me asgjë

Futboll

Buffon: Pjesëmarrjen në Kupën e Botës nuk do ta kisha këmbyer me asgjë

Më: 21 nëntor 2022 Në ora: 13:18
Buffon

“Të humbasësh Evropianin me penallti për të qenë prezent në Botëror? Është një përgjigje që varet nga mosha. Në moshën 40-vjeçare do të kisha preferuar të fitoja Kampionatin Evropian, sepse nuk do të kisha pasur mundësi të tjera, por po të kisha qenë më i ri, pjesëmarrjen në Kupën e Botës nuk do ta kisha këmbyer me asgjë”.

Gigi Buffon e tha këtë në mikrofonat e “Radio Anch’io Sport”, duke komentuar Botërorin e Katarit dhe më gjerë. “Fillimi i këtij Botërori ishte i çuditshëm.

Prania emocionale që zakonisht shoqëron pragun e këtyre kompeticioneve është shumë e lartë, në këtë rast nuk ishte kështu, – tha portieri me rekordet axurre, sot te Parma. – Po pyesja veten nëse kjo ishte për shkak të mungesës së Italisë apo për faktin se në mënyrë anormale, ndeshjet luhen në dimër, kështu që ka pasur pak përgatitje mediatike.

Të mos harrojmë se deri javën e kaluar kemi luajtur me klubin. Kjo mund të ketë pasur shumë ndikim në perceptimin tonë për Kupën e Botës”. Për kombëtaren italiane shtoi: “Nuk mund ta gjykoni në bazë të rëndësisë së ndeshjes së mbrëmshme. Siç e dimë nuk shkëlqejmë kurrë në rezultatet e miqësoreve. Unë mendoj se trajneri donte të testonte, kështu që për këto arsye gjykimet e momentit do të ishin mashtruese”.

Gigi Buffon komentoi gjithashtu mbështetjen e tij për Kamerunin: “Ka qenë gjithmonë skuadra ime e dytë, skuadra ime e preferuar në Serie B, që nga Kupa e Botës 1982. Në vitin 1990 mbështetja ime ishte e plotë, me lojtarë si N’Kono, Milla, Oman-Biyik, të cilët për mua ishin heronj. Skuadrën e Kamerunit të vitit 1990 mund ta përsërisja përmendësh”.

Dhe kur u pyet nëse prania e Iranit është e drejtë apo jo, ai u përgjigj: “Prania e Iranit në Kupën e Botës është e drejtë, sporti është meritokraci dhe ata e kanë fituar këtë pjesëmarrje, këtë mundësi. Nëse kjo bëhet një mënyrë për të dërguar sinjale të njerëzimit kolektiv, kështu qoftë. Rrofshin lojtarët e Iranit!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat