Nikaj drejt Drtiës

Futboll

Nikaj drejt Drtiës

Më: 3 janar 2023 Në ora: 11:22
Nikaj

Drita e Gjilanit është në kërkim të një “timonieri” të ri në krye të pankinës dhe së shpejti, klubi do të vendosë për trajnerin e ri të skuadrës dhe mësohet se një gjë e tillë do të ndodhë brenda këtyre ditëve të vitit të ri.

Së fundmi, “Shkodra Sport” ka mësuar nga burime të sigurta se një ndër emrat kryesorë për postin e trajnerit të ri është edhe tekniku shkodran i Pogradecit, Samuel Nikaj.

Në fakt, Nikaj e njeh mjaft mirë ambientin kosovar dhe futbollin atje, duke qenë se edhe më parë, ai ka punuar në Kosovë te Flamurtari i Prishtinës, Vushtrria dhe Liria, teksa dy të parat madje arriti për t’i ngjitur edhe një kategori më lart.

Momentalisht, Nikaj është në drejtimin e Pogradecit, ku në tetë javë të Kategorisë së Parë ka arritur disa shifra magjike. Më konkretisht, në tetë ndeshje ka marrë shtatë fitore, teksa prej tyre gjashtë fitore janë rradhazi.

Megjithatë, në vazhdim mbetet për t’u parë se sa do të jetë i gatshëm Nikaj të lërë Pogradecin dhe të shkojë të drejtojë në Kosovë ekipin e Dritës, pasi në mes është edhe kontrata, por mbi të gjitha marrëdhëniet e mira që ka trajneri shkodran me drejtuesit pogradecar.

Realisht, se sa mund të realizohet një lëvizje e tillë mbetet për t’u parë, pasi nga ajo që mëson “Shkodra Sport”, trajnerin Nikaj nuk e ka kontaktuar askush deri në këto momente që flasim, por nga ana tjetër, emri i tij ka disa ditë që po lakohet nga drejtuesit e Dritës si një ndër kandidatët për drejtimin e klubit të tyre.

Kujtojmë këtu se, Drita ka mbetur pa trajner pas largimit të Ardian Nuhiut pak javë më parë dhe trajneri shkodran i Pogradecit, Samuel Nikaj, shikohet si një nga kandidatët për marrjen e drejtimit të ekipit gjilanas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat