Flet kirurgu që e operoi ish lojtarin që vdiq sot

Futboll

Flet kirurgu që e operoi ish lojtarin që vdiq sot

Më: 6 janar 2023 Në ora: 12:17
Flet kirurgu që e operoi ish lojtarin që vdiq sot

Ai është kirurgu që e operoi për herë të parë në Itali, kur Gianluca Vialli zbuloi se kishte një “mysafir të paftuar”, siç e quan ai, në trupin e tij. Ishte viti 2017 kur profesor Alessandro Zerbi, kreu i njësisë së kirurgjisë së pankreasit në “Humanitas” të Milanos, hoqi tumorin e pankreasit nga ish-kampioni i Sampdoria, Juve dhe Chelsea.

“Ishte një operacion teknikisht i suksesshëm”, – thotë mjeku për “Gazzetta dello Sport”. Por që atëherë beteja e Viallit me sëmundjen e rëndë nuk përfundoi kurrë, deri ditën e sotme kur mbylli sytë përgjithmonë.

Profesor Zerbi, si u njohët me Viallin?
Gianluca e njihte tashmë ‘Humanitas’, ne u takuam kur u kthye tek unë për informacione të mëtejshme mbi disa simptoma. Në veçanti ai ishte bërë i verdhë, që është një nga simptomat e hershme të këtij tumori.

Si e kishte marrë lajmin për sëmundjen?

Me guxim dhe kthjelltësi të madhe. Këtë sfidë e ka rrëfyer edhe në një libër, të cilin ma ka dërguar.

Ju e operuat më 2017. A shkoi mirë operacioni dhe pse iu kthye kanceri?
Kirurgjia kishte ecur mirë teknikisht, aq sa Vialli u kthye në shtëpi pas disa ditësh edhe falë fizikut të stërvitur. Kujdesi postoperativ u krye në Londër, ku ai jetonte. Fatkeqësisht, ishte një neoplazi veçanërisht agresive dhe si të gjitha kanceret, mundi të kthehet.

Statistikat thonë se vetëm 8% e pacientëve me kancer pankreatik janë gjallë pesë vjet pas diagnozës. Për tumore të tjera, të tilla si gjiri apo prostata për shembull, vlerësimet janë rreth 90%. Pse ky dallim?

Tumori është biologjikisht më agresiv se të tjerët, për më tepër vendndodhja e tij anatomike thellë në bark dhe fakti që nuk ka një kapsulë do të thotë që qelizat e kancerit të pankreasit mund të përhapen herët në trup.

Shtojini kësaj edhe vështirësinë e diagnostikimit, që shumica e kohës është e vonë, në mungesë të simptomave të hershme. Kërkimet shkencore po ecin përpara për të përmirësuar prognozën e sëmundjes dhe diagnozën. Vitet e fundit kemi shënuar progres të prekshëm”.

A ka ndonjë gjë që mund të bëhet për të parandaluar këtë kancer? Kush është më i rrezikuar?
Pirja e duhanit, mënyra e jetesës sedentare, mbipesha janë faktorë rreziku për këtë dhe për të gjithë kanceret, siç kujtojnë AIOM dhe Airtum në raportin e fundit për kancerin në Itali. Në raste të tjera, faktorët gjenetikë dhe trashëgues hyjnë në lojë për kancerin e pankreasit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat