Conte nuk paraqitet në konferencën e Tottenhamit pas vdekjes së Gianluca Viallit

Futboll

Conte nuk paraqitet në konferencën e Tottenhamit pas vdekjes së Gianluca Viallit

Më: 6 janar 2023 Në ora: 14:09
Antonio Conte

Antonio Conte nuk është paraqitur në konferencën e tij për mediat përpara ndeshjes së Tottenham në FA Cup me Portsmouth, teksa mban zi për humbjen e ish-bashkëlojtarit të tij te Juventus, Gianluca Viallit.

Ish-sulmuesi i Italisë dhe Chelseat, Vialli vdiq në moshën 58-vjeçare të enjten mbrëma pas një beteje të gjatë me kancerin në pankreas.

Conte duhej të përballej me mediat sot pasdite, por ndihmësi i trajnerit të Tottenhamit, Cristian Stellini, do të marrë pjesë në konferencën për shtyp.

Edhe pse italianët luajtën së bashku në Juventus, ata kurrë nuk luajtën bashk me ekipin kombëtar, me Conten që bëri debutimin e tij pasi Vialli kishte përfunduar karrierën e tij me Kombëtaren e Italisë.

Conte, 53 vjeçar, ka shijuar një periudhë të gjatë në Juventus mes viteve 1991 dhe 2004, ndërsa Vialli iu bashkua atij për një periudhë katërvjeçare në klub mes viteve 1992 dhe 1996.

Në fakt, Vialli ishte kapiten i Juventusit gjatë sezonit 1995-96 dhe kur u largua nga Seria A në fund të atij sezoni, ishte Conte ai që e morri detyrën e kapitenit.

Të dy italianët luajtën në një skuadër që fitoi Kupën UEFA në 1993, një titull në Serie A dhe Kupën e Italisë në 1995, dhe më së shumti Ligën e Kampionëve në 1996.

Vialli mbetet kapiteni i fundit i Juventusit që ka ngritur çmimin elitar evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat