Telashe pa fund për Barcelonën

Futboll

Telashe pa fund për Barcelonën

Më: 10 janar 2023 Në ora: 17:58
Telashe pa fund për Barcelonën

Barcelona është në vështirësi të mëdha ekonomike dhe detyrimet e saj sapo u shtuan. Shkak është bërë një mesfushor brazilian, që pakkush e njeh, një nga gafat e mëdha të merkatos në drejtimin e mëparshëm të klubit katalanas.

Mateus Fernandes, mesfushori 24-vjeçar brazilian, ka fituar një gjyq ndaj ish-punëdhënësve të tij që i detyrohen tashmë 8,5 milionë euro dëmshpërblim për mënyrën se si e shkarkuan nga puna.

Lojtari ishte ndër emrat e fundit që u afruan në epokën e Bartomeut dhe Abidal, por klubi as nuk i bëri prezantimin futbollistit për të cilin pagoi 8 milionë euro në vitin 2020. Lojtari luajti vetëm 17 minuta me skuadrën e parë, si zëvendësues në një ndeshje të Ligës së Kampioneve ndaj Dinamo Kiev. Por në klub kuptuan shpejt se kishin bërë një blerje absurde dhe në verën e vitit 2021, ai u njoftua se duhej të boshatiste dollapin e tij pasi i ndërpritej kontrata.

Lojtari kishte nënshkruar kontratë deri në vitin 2025, ndaj hodhi në gjyq Barcelonën dhe kërkoi dëmshpërblim, që i është njohur nga gjykata për shumën 8,5 milionë euro, pasi katalanasit u shpallën fajtorë për prishje të padrejtë të marrëveshjes kontraktuale. Lojtari ka zbuluar gjithashtu se prishja e kontratës i ishte bërë me e-mail.

“Klubi më telefonoi dhe më pyeti nëse kisha përsëri të njëjtin e-mail, i thashë ‘po’ dhe më erdhi shkresa. Asnjë bisedë, asgjë, as më telefonuan për të më thënë mirupafshim”, ka treguar mesfushori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat