Vijojnë largimet te Kukësi

Futboll

Vijojnë largimet te Kukësi

Më: 12 janar 2023 Në ora: 17:46
Kristi Kote

Kukësi vijon të largojë futbollistë, pas një pjese të parë zhgënjyese të sezonit, teksa i fundit që ka lënë verilindorët, ka qenë mesfushori korçar Kristi Kote. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi i Kukësit në rrjetet sociale, ku zbulon se është ndërprerë bashkëpunimi me mesfushorin 24-vjeçar.

Kristi Kote iu bashkua Kukësit në verë me kërkesë të trajnerit të atëhershëm Skënder Gega, i cili kishte punuar me korçarin edhe te Partizani, megjithatë luajti shumë pak, vetëm 7 ndeshje në total, pjesën më të madhe të të cilave duke ardhur nga stoli.

Mesfushori nuk bënte pjesë në planet e Hallaçit dhe palët vendosën ndërprerjen e bashkëpunimit, teksa Kote është i pesti futbollist që lë verilindorët në merkaton e dimrit.

Më herët janë larguar Jorgo Meksi, Gyasi, Ferreira dhe Ndukwu, ndërsa në merkaton në hyrje është punuar shumë më pak, pasi është rikthyer Vitor Feijao nga huazimi te Shakhtar Soligors, si dhe është arritur marrëveshja me mbrojtësin Franko Lamçe, i cili vjen nga kampionati grek.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat