​Liridon Kukaj emërohet trajner te Prishtina U19

Futboll

​Liridon Kukaj emërohet trajner te Prishtina U19

Më: 18 janar 2023 Në ora: 18:07
Liridon Kukaj

Klubi i Futbollit Prishtina vazhdon që t’i ofrojë disa nga ish-yjet e skuadrës, të cilët ndër vite kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për ekipin “bardhekaltër”.

Liridon Kukaj është personi i radhës që është rikthyer në skuadër, kësaj radhe pak metra larg fushës së gjelbër, në pozitën e trajnerit të FC Prishtinës U19.

Ai rikthehet te ekipi nga kryeqyteti pas propozimit të drejtorit sportiv, Driton Krasniqi.

39-vjeçari te Prishtina do ta zëvendësojë trajnerin Agim Maliqi, i cili i është bashkuar stafit të Ismet Munishit te skuadra e parë. Kukaj në stinorin e kaluar punoi si ndihmës i Bekim Shotani te FC Drenica.

Krahas Prishtinës ai do ta vazhdojë angazhimin edhe si ndihmës i Afrim Tovërlanit te Përfaqësuesja e Kosovës U-19.

Kukaj ka një karrierë të bujshme në futbollin e Kosovës, ku krahas Prishtinës ka luajtur për klube të ndryshme, ndërsa karrierë ka zhvilluar edhe në Shqipëri te Vllaznia e Shkodrës dhe tashmë klubi i shuar, Gramozi.

“Doni” vite më parë ka qenë një ndër mbrojtësit më të mirë në Kosovë, derisa te FC Prishtina gjatë qëndrimit për pesë-vjeçar e ka fituar titullin e kampionit, Kupën e Kosovës dhe Superkupën.

Kukaj ka regjistruar me Prishtinën 185 ndeshje zyrtare në tri gara, duke shënuar edhe 12 gola kampional.

Rikthimi në shtëpi është gjithmonë i ëmbël. Po ndjehem shumë mirë. Tashmë na pret një punë e madhe dhe besoj se do ta arsyetoj besimin e dhënë nga drejtuesit e klubit më të madh në Kosovë. Në ekipin e Prishtinës U-19 do të punohet me seriozitet dhe profesionalizëm ashtu siç i ka hije FC Prishtinës. Do të përgatitim lojtarë të rinj në mënyrë që sa më mirë që t’i mbrojnë ngjyrat e kryeqytetit edhe për ekipin e parë.”, tha Kukaj pas rikthimit te Prishtina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat