Historia me Realin

Futboll

Historia me Realin

Më: 26 janar 2023 Në ora: 11:42
Historia me Realin

Reali i Madridit dhe Atletiko e Madridit gjejnë njëri-tjetrin në Kupën e Mbretit në çerekfinale pas 8 vjetësh.

Për herë të fundit derbi i Madridit në Kupë është luajtur në sezonin 2014-2015 në 1/16-at e finaleve, me “Colchoneros” që kalon më tej me rezultat të përgjithshëm 4-2.

Sonte në mbrëmje dy gjigantët e Madridit do të përballen në “Bernabeu” në një ndeshje teke, e shoqëruar edhe me polemika të shumta në lidhje me praninë e tifozerisë së Atletikos dhe vendimin e klubit të bardhë për të mos lejuar tifozët miq që të veshin fanellat e skuadrës së tyre.

Në përballjet e përgjithshme mes dy skuadrave të Madridit, ky do të jetë dueli numër 291, me Realin e Madridit që dominon me 151 fitore.

Në përballjet në Kupën e Mbretit mes dy klubeve të Madridit, historia flet dukshëm për “Los Blancos”. Në përballjet me eliminim direkt, dy klubet janë ndeshur 42 herë mes tyre, me Realin që ka fituar 17 përballje, Atletiko ka fituar 11 takime dhe 14 ndeshje të tjera janë ndarë në barazim.

E veçanta tjetër është se këto dy skuadra janë ndeshur 5 herë mes tyre në finalen e Kupës së Mbretit, me Atletikon që ka fituar 4 herë dhe Realin vetëm një, në vitin e largët 1975.

Por nëse Reali i beson historisë në përballjet në Kupën e Mbretit ndaj Atletikos së Madridit, nga ana tjetër “Rojiblancos” i besojnë trajnerit të tyre, Simeones. Në 5 derbi me ndeshje direkte, Simeone nuk është mundur asnjëherë ndaj Realit.

Edhe pse në fund ka humbur trofe të rëndësishëm, në harkun e 90 minutave Simeone nuk njeh humbje. Ndërkaq, në 16 vizita në “Bernabeu”, Simeone ka fituar 4 takime, ka barazuar 5 dhe ka humbur 7 ndeshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat