Ajax rikthehet te fitorja

Futboll

Ajax rikthehet te fitorja

Më: 29 janar 2023 Në ora: 17:02
Ajax

Ndeshja e parë post-Alfred Schreuder ishte një sukses për Ajaxin e Amsterdamit. “Harkëtarët” u rikthyen tek fitorja në Eredivise pas shtatë ndeshjesh dhe mundi Excelsior 4-1 në transfertë nën drejtimin provizor të John Heitingës.

Ish-mbrojtësi i famshëm i Holandës bëri disa ndryshime në formacion në krahasim me Schreuder dhe aktivizoi nga minuta e parë Owen Wijndal dhe Mohamed Kudus.

Sfida në Roterdam ishte një formalitet për kampionët në fuqi teksa kaluan fillimisht në avantazh me Tadiç në të 15′ nga pika e bardhë e penalltisë ndërsa reagimi pas barazimit të përkohshëm të El Yakoubit në të 36′ ishte shumë i shpejtë me Davy Klassen që i dha sërish kryesimin Ajaxit kur pritej fundi i pjesës së parë.(45′), shkruan Supersporti.

Në të dytën, Harkëtarët administruan mjaft mirë ndeshjen dhe madje shënuan edhe golin e tretë me Mohamed Kudus në të 61′ dhe të sigurisë me Rench në të 83-tën. Me këtë fitore, Ajax ngjitet në vendin e katërt me 37 pikë, 5 larg Feyenoordit kryesues ndërsa Excelsior zbret në vendin e 14-të me 19 pikë.

Në sfidën e radhës në Eredivisie, Feyenoord bëri “hap fals” në transfertën e Twentes. Roterdamasit u ndalën në barazim 1-1 përballë “The Reds” në një sfidë maksimalisht të luftuar dhe të luajtur me ritëm të lartë.

Të besuarit e Arne Slot kaluan të parët në avantazh me golin e Santiago Gimenez në minutën e 30′, me meksikanin që realizoi bukur me kokë pas asistit të Sebastian Szymanskit.

Pjesa e dytë ishte më tepër e ekuilibruar dhe Twente u shpërblye për tentativat e shumta drejt portës në minutën e 68′, me mbrojtësin Brenet që shënoi një gol fotokopje si Gimenez për të barazuar shifrat. Në të 85′, Vlad Cerny pati mundësinë për të realizuar edhe golin e fitores por u ndal në dy kohë nga portieri Justin Bijlow.

Në fund një barazim 1-1, që i lë të kënaqura të dyja palët, me Feyenoord që ruan vendin e parë në renditje ndërsa Twente mbetet sërish në pozicion të favorshëm për Europën teksa mban vendin e katërt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat