Inzaghi: Duam Kupën dhe derbin

Futboll

Inzaghi: Duam Kupën dhe derbin

Më: 1 shkurt 2023 Në ora: 11:06
Inzaghi

Simone Inzaghi është shndërruar në specialist të Kupës së Italisë dhe këtë e ka konfirmuar edhe mbrëmjen e djeshme kur Interi i tij është rikthyer te paraqitjet bindëse.

“Ishte një ndeshje shumë e mirë e djemve që qëndruan në garë për 95 minuta duke treguar se e donim patjetër këtë kualifikim dhe duke e marrë atë”, e ka nisur trajneri i zikaltërve konferencën për shtyp pas ndeshjes, duke vazhduar: “Jemi krenarë që jemi e vetmja skuadër italiane në garë për të gjitha kompeticionet dhe ky është një motiv që na shtyn të punojmë akoma më shumë. Duam ta fitojmë këtë trofe”.

Trajneri, ama, pavarësisht lumturisë nuk iu shmang dot pyetjeve mbi Shkriniarin, që nuk ishte i grumbulluar për ndeshjen duke shpjeguar edhe arsyen pas vendimit:

“Nuk doja që Shkriniar të vendosej në një pozitë të vështirë. E përjashtova për ta lënë të qetë, por e di që nuk do të ketë probleme me të. Është profesionist dhe e di që do të stërvitet në maksimum deri në 30 qershor”.

Padyshim që vëmendja tani në kampin zikaltër kalon në derbin e së dielës, aty ku Inzagi shpreson të rikuperojë Brozoviçin, edhe pse edhe një herë tjetër ka pohuar se kampionati është tashmë në kufijtë e së pamundurës.

“Tani të gjithë do të rikuperojmë energjitë dhe të përgatisim derbin ku shpresoj të kem të gatshëm Brozoviçin. Duam të fitojmë patjetër, por Napoli është i pakapshëm. Kanë qenë ata të jashtëzakonshëm, pasi në çdo kampionat tjetër do të ishim edhe në garë me kaq pikë sa kemi grumbulluar”, deklaroi Inzaghi..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat