Nis nga puna implementimi i projektit mes FSHF, FIFA e MAS

Futboll

Nis nga puna implementimi i projektit mes FSHF, FIFA e MAS

Më: 1 shkurt 2023 Në ora: 11:36
Nis nga puna implementimi i projektit mes FSHF, FIFA e MAS

Grupi i përbashkët i punës i ngritur për këtë projekt mes tre institucioneve ka zhvilluar disa takime gjatë këtyre ditëve për të përcaktuar etapat dhe hapat që do të ndërmerren për të zbatuar këtë iniciativë të rëndësishme për masivizimin e futbollit në shkolla.

Ky program do të zbatohet fillimisht në 116 shkolla në të gjithë Shqipërinë, teksa numri i mësuesve dhe veçanërisht fëmijëve të përfshirë, djem e vajza, do të jetë shumë i madh. “Programi i Futbollit në Shkolla” pritet të nisë me trajnimin e mësuesve të edukimit fizik në shkollat e përzgjedhura përmes ekspertëve të FIFA-s në muajin prill për të vazhduar më pas me punën në terren.

Ambiciet e kësaj nisme janë të mëdha dhe marrëveshja e nënshkruar nga FSHF dhe MAS me mbështetjen e FIFA-s synon të sigurojë mbështetjen e shkollave duke shpërndarë materiale bazë që duhen për futbollin dhe për zhvillimin e këtij sporti. Më konkretisht, programi është i fokusuar në krijimin e ekipeve të futbollit në shkollat 9-vjeçare dhe në furnizimin me bazë materiale të shkollave për zhvillimin e këtyre aktiviteteve sportive. Gjithashtu, është shumë i rëndësishëm edhe trajnimi i mësuesve të edukimit fizik që më pas do të shërbejnë edhe si trajnerë të ekipeve sportive.

Në fazën e parë do të përfshihen 116 shkolla 9-vjeçare nga i gjithë vendi, për djem dhe vajza. Në fazën e dytë do të përfshihen edhe 416 shkolla të tjera. Qëllimi është të identifikohen dhe të mbështeten talentet, por mbi të gjitha, ky në fakt është një projekt që mbështet edhe familjet shqiptare.

Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar pak ditë më parë nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, pritet të ketë një impakt të rëndësishëm në mbështetjen e futbollit nëpër institucionet arsimore të vendit.

Ky bashkëpunim synon të ndihmojë në zhvillimin pozitiv të aftësive fizike dhe një jete më të shëndetshme të fëmijëve si edhe të ndihmojnë në krijimin e besimit në vetvete dhe disiplinës tek fëmijët dhe të rinjtë.

Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit e Sportit dhe me mbështetjen e FIFA-s ka nisur nga puna për implementimin e projektit “Programi i Futbollit në Shkolla”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat