Manaj drejt rikthimit në Itali

Futboll

Manaj drejt rikthimit në Itali

Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 11:19
Manaj

Pas largimit nga Uotfordi në Angli dhe daljes si një lojtar i ri, Rei Manaj po përgatitet për një rikthim në Itali. “Panorama Sport” mëson se sulmuesi i Kombëtares shqiptare është drejt firmës me skuadrën e Veronës.

Klubi italian është prej kohësh në kërkim të një sulmuesi që t’i vijë në ndihmë për të mbijetuar mes më të mirave. Aktualisht Verona ndodhet në zonën e rënies, në vendin e 17-të dhe katër pikë larg Specias, që shpëton.

PRAPASKENAT Në merkaton e janarit, Verona ishte pranë blerjes së Xhuliano Skukës, sulmuesit të Partizanit, që në fund u shit te Metzi në Francë. Oferta e bërë nga italianët nuk ishte ajo që klubi i kuq priste dhe për këtë nuk u realizua dhe transferimi.

Kështu, edhe pse afati i merkatos ka mbaruar, Verona ka mundësinë që të afrojë një sulmues, i cili është lojtar i lirë.

Këtu hyn edhe Rei Manaj, si një alternativë e duhur për sulmin e verdhë. Lushnjari ka prishur kontratën me anglezët e Uotfordit dhe një rikthim në Serinë A, do t’i jepte mundësi që të luante shanset edhe për kualifikueset e Europianit me Kombëtaren, duke qenë se trajneri i ri, Silvinjo, ka punuar me të tek Interi.

Manaj ka edhe eksperiencë të mëparshme në kampionatin italian, teksa ka qenë pjesë e Specias në formë huazimi nga Barcelona dhe më parë tek Interi e Peskara.

SPANJA Manaj mund t’i kursejë çdo ekipi një shifër transferimi, duke qenë se është lojtar i lirë dhe për të do të investohet vetëm rroga.

Sulmuesi luajti vetëm 275 minuta me Uotfordin në Kategorinë e Dytë angleze, duke shënuar vetëm një gol. Kjo edhe për shkak të dëmtimeve që 25-vjeçari pësoi gjatë sezonit.

Ndërkohë, në pritje është edhe Elçe, e cila pothuajse ka prerë biletën e rrëzimit nga La Liga duke qenë shumë pikë mbrapa dhe mund të rezervojë sulmuesin shqiptar për sezonin tjetër në Ligën e Dytë spanjolle.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat