Kampionatet 5×5 & 9×9 dhurojnë spektakël, ja si ka ndryshuar renditja e ekipeve në grupe

Futboll

Kampionatet 5×5 & 9×9 dhurojnë spektakël, ja si ka ndryshuar renditja e ekipeve në grupe

Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 15:05
Kampionatet 5×5 & 9×9 dhurojnë spektakël, ja si ka ndryshuar renditja e ekipeve në grupe

Kampionati kombëtar i futbollit amator 5×5 ka mbyllur një tjetër javë të suksesshme, që ka dhuruar shumë spektakël, me gola e emocione pa fund.

Në kryeqytet, futbolli luhet në shtatë zona. Alliasi ka marrë kryesimin e grupit B, pasi këtë javë mundi ekipin ‘Kafja e Rremës’ me rezultatin 10-6.

Ndërkaq, në grupin C, Vila L nuk ka pësuar asnjë humbje gjatë këtij sezoni futbollistik, duke marrë 10 fitore në 10 javë. E fundit ishte ajo e kësaj jave, në takimin kundër Jata Market, duke i mposhtur me shifrat 6-1.

Sakaq, në grupin D, Joka Dent dhe Shqiponja ndajnë të njëjtën kuotë pikësh, me nga 27 secila, pas 9 javësh kampionat. Në grupin E, ATS nuk njeh rivalë, teksa pas 10 javësh renditet e vetme në krye të klasifikimit me 28 pikë, dhjetë më shumë se Porto Lalzi i vendit të dytë.

Gjatë këtij sezoni futbollistik, KF Erniku GS ka njohur vetëm një humbje në dhjetë javë, teksa është në krye të klasifikimit në grupin F me 27 pikë, dy më shumë se Prestige MFC.

Duhet theksuar se Prestige MFC ka një ndeshje më pak në grupin F. Beautiful Albania pësoi humbjen e parë sezonale këtë javë, duke u mposhtur nga Autoclinic me rezultatin 4-1 në grupin G pas 9 fitoresh në kampionat.

Kampionati vijon të luhet rregullisht edhe në Elbasan e Cërrik, teksa SH.S.Kuqan 5×5 dhe AMG Plan Studio 5×5 renditen me nga 18 pikë secila, duke marrë gjashtë fitore rresht në po kaq javë.

Në kampionatin 5×5 që po zhvillohet në Durrës, Kismeti renditet në vendin e parë në grupin A duke u shkëputur me 5 pikë nga vendi i dytë, ku renditet KS1. Sakaq, në grupin B, Art-Inox ruan vendin e parë, teksa ndiqet nga Santal MFC dhe Armata e Veriut me nga 19 pikë. ndërkaq, vlen të theksohet se këtë javë, kampionati 5×5 do të ngrejë siparin edhe në zonën e Korçës.

Veç kampionatit 5×5, vijon të zhvillohet nga ana tjetër edhe kampionati i futbollit në zonën e Tiranës, i ndarë në dy grupe, A dhe B.

Prestige MFC nuk ka njohur asnjë humbje në këtë sezon futbollistik, teksa në 11 javë ka grumbulluar 33 pikë të plota, me 40 gola të shënuar dhe vetëm 6 të pësuar.

Panthers Shkodër janë në ndjekje të Prestige, teksa diferenca e pikëve pas 11 javëve mes dy ekipeve është 6 pikë.

Ndërkaq, në grupin B në kryeqytet, Dajti dhe Immi ndajnë të njëjtën kuotë pikësh, me nga 27 secila. Immi ka zhvilluar në total 11 javë, duke pësuar dy humbje e duke siguruar 9 fitore, ndërsa Dajti është me një ndeshje më pak, teksa në 10 javë të luajtura ka marrë 9 fitore dhe vetëm një humbje.

Kampionati vijon të zhvillohet normalisht në zonën e Tiranës, duke dhuruar javë pas jave emocione e spektakël golash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat